Kosova

Deklarata e Kurtit për 78 mijë vende të reja pune, Tahiri: Lëri përrallat, stop abuzimit me shifra imagjinare


Besnik Tahiri

“Lejë përrallat kryeministër!”, i ka thënë Besnik Tahiri Albin Kurtit.

Këto komente, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që kryeministri Kurti tha gjatë ditës se gjatë qeverisjes së tij janë krijuar 87 mijë vende të reja pune.

“Vende të reja pune, jo se jo, por ajo çfarë mund të kuptojmë nga kjo deklaratë e kryeministrit është që për katër vite, 87 mijë është minimumi i atyre që kanë braktisur Kosovën, kuptohet numri më i madh i tyre i moshës së re, fuqi e shkathtë punëmarrëse”, shkroi Tahiri.

Në fund, ai i tha Kurtit “stop abuzimit me shifra imagjinare!”.

Ndryshe, gjatë ditës kryeministri Kurti, ka pretenduar se në katër vitet e fundit në vend, që përkon me kohën e qeverisjes së tij, janë krijuar 87 mijë vende të reja të punës, apo 26 për qind më shumë se kanë qenë në vitin 2019.

Këto komente, Kurti i ka bërë fillimin e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale, ku ka theksuar se nuk është e nevojshme që të flitet për situatën me vende të punës, meqë, sipas tij, statistikat flasin vetë.

“Statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim”, tha Kurti.

“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind”, shtoi.

Pos këtyre, sipas kryeministrit gjatë kohës kur ai drejton qeverinë buxheti i shtetit është rritur për 1 miliard euro.

Kurti: Për 4 vjet krijuam 87 mijë vende të reja pune

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore