Kosova

Qeveria mohon se draft-statuti i publikuar në media është mbi tryezën e dialogut


Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se dokumenti që është publikuar të martën nga disa portale dhe televizione si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” nuk përkon me propozimin evropiano-amerikan që i është dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara.

“Falënderojmë ato medie të cilat para publikimit apo shpërndarjes së këtij lajmi kanë kontaktuar Zyren e Kryeministrit për konfirmim dhe verifikim të raportimit, duke shmangur kështu keqinformimin e mëtejmë të publikut”, ka shkruar ai në Facebook.

Në përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit që ka qarkulluar në media, përfshihen sfondi, korniza, objektivat, parimet dhe kompetencat kryesore, struktura organizative, financimi dhe marrëdhëniet me autoritetet qendrore. Dokumenti trajton kontekstin ligjor dhe politik, parimet dhe objektivat e përgjithshme të këtij instrumenti vetë-menaxhues.

Në të kaluarën janë nxjerrë disa drafte për statutin e këtij mekanizmi, ndërsa në dokumentin që është duke qarkulluar aktualisht në media, përmendet draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, draft-statuti i fondacionit gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) dhe draft-statuti i kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, këshillin, bordin, administratën dhe zyrën e ankesave, ndërsa një ndër objektivat e këtij organi parashihet të jetë “sigurimi i një kornize vetë-menaxhuese me autonomi substanciale për komunitetin serb” që jeton në Kosovë.

Në këtë draft-statut parashihet që Asociacioni të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, por edhe nga mbështetja financiare e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë shtetin e Serbisë.

Një pasqyrë se çfarë parashihet në versionin “modern dhe evropian” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore