Lajme

Një pasqyrë se çfarë parashihet në versionin “modern dhe evropian” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe


Ilustrim

Në përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë përfshihen sfondi, korniza, objektivat, parimet dhe kompetencat kryesore, struktura organizative, financimi dhe marrëdhëniet me autoritetet qendrore. Dokumenti trajton kontekstin ligjor dhe politik, parimet dhe objektivat e përgjithshme të këtij instrumenti vetë-menaxhues.

Në të kaluarën janë nxjerrë disa drafte për statutin e këtij mekanizmi, ndërsa në dokumentin që është duke qarkulluar aktualisht në media, përmendet draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, draft-statuti i fondacionit gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) dhe draft-statuti i kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të ketë: kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, këshillin, bordin, administratën dhe zyrën e ankesave, ndërsa një ndër objektivat e këtij organi parashihet të jetë “sigurimi i një kornize vetë-menaxhuese me autonomi substanciale për komunitetin serb” që jeton në Kosovë.

Në këtë draft-statut parashihet që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, por edhe nga mbështetja financiare e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë shtetin e Serbisë.

Ai parashihet të mbajë një llogari bankare të licencuar dhe të regjistruar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), derisa Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZKA) kryen auditime të jashtme në pajtim me ligjin e Kosovës. Buxheti dhe shpenzimet do t’i nënshtrohen një periudhe pesëvjeçare të mbikëqyrjes nga Bashkimi Evropian (BE).

Një pjesë flet edhe për objektivat e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe sikurse forcimi i demokracisë lokale, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, menaxhimi i institucioneve lokale arsimore dhe shëndetësore, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me interesat kolektive të serbëve në Kosovë.

BE-ja paraprakisht ka prezantuar një “plan të ri” për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) dhe një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë pranuar që dokumenti i ri të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme në kuadër të dialogut.

E në përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të hartuar nga BE-ja, kryesisht nga Gjermania, Franca dhe Italia, thuhet se draft-statuti nuk nuk kalon asnjë nga “vijat e kuqe” të Kosovës, ndërsa trajton njëkohësisht prioritetet kryesore të Serbisë.

Draft-Statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM):

Sfondi dhe Korniza

Konteksti ligjor dhe politik;

Draft-Statute të ndryshme: Ekipi Menaxhues, FES , Kryeministri Rama;

Vijat e kuqe të palëve;

Parimet e hartimit;

Objektivat Kryesore

Zbatimi i Marrëveshjes Bazë të vitit 2013 e ratifikuar nga Kosova dhe Marrëveshja e vitit 2015;

Sigurimi i një kornize vetë-menaxhuese me autonomi substanciale për komunitetin serb të Kosovës;

Mbrojtje e dyfishtë;

Parimet Kryesore

Statuti rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e organeve;

Statuti i paraqitet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim;

Asociacioni nuk do të zëvendësojë ose zvogëlojë të drejtat e asnjë komuniteti që banon në komunat anëtare;

Pjesëmarrja vullnetare së pari është e hapur për komunat me shumicë serbe;

Kompetencat Kryesore

Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërkomunal;

Promovimi dhe mbrojtja e drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës pa paragjykim ndaj komuniteteve të tjera;

Menaxhimi i institucioneve lokale arsimore dhe shëndetësore;

Hartimi i politikave që avancojnë demokracinë lokale dhe pjesëmarrjen qytetare;

Struktura Organizative

Kuvendi;

Kryetari dhe Zëvendës Kryetari;

Bordi;

Këshilli;

Administrata;

Zyra e Ankesave;

Financimi

Kontribute nga anëtarët, autoritetet e Kosovës, grante dhe donacione të tjera, përfshirë edhe nga Serbia;

Asociacioni do të mbajë një llogari bankare të licencuar dhe të regjistruar në Bankën Qendrore të Kosovës;

Buxheti dhe shpenzimet do t’i nënshtrohen një periudhe pesëvjeçare të mbikëqyrjes nga BE-ja (një herë e rinovueshme);

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës kryen auditime të jashtme të Asociacionit në pajtim me ligjin;

Marrëdhëniet me Autoritetet Qendrore

Asociacioni nuk do të zëvendësojë apo cenojë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale në Kosovë;

Dy vitet e para pas fillimit të veprimtarisë së Asociacionit do të monitorohet nga BE-ja;

Asociacioni mund të ofrojë këshilla dhe ekspertizë teknike në hartimin e legjislacionit, siç bën edhe Këshilli Konsultativ i Komuniteteve;

Përgjigja e Palëve

Të dyja palët thanë se draft-dokumenti mund të shërbejë si një dokument i përshtatshëm pune;

Kosova ngriti disa çështje, vendosi disa kushte dhe pretendoi mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentet tjera;

Serbia tha se ata kishin disa pyetje dhe shqetësime pa shprehur kundërshtime specifike;

Konkluzione

Draft-Statuti mbështetet nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës;

Draft-Statuti nuk kalon asnjë nga vijat e kuqe të Kosovës;

Draft-Statuti trajton prioritetet kryesore të Serbisë;

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore