Kosova

Krasniqi: Dallime me Kurtin kemi, por diskutimin e patëm të mirë


Memli Krasniqi dhe Albin Kurti

Si “të mirë” e ka cilësuar takimin me kryeministrin Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, teksa ka shtuar se ka pranuar të takohet me kryeministrin për t’i kërkuar një datë të zgjedhjeve dhe që bashkërisht të votohet një mocion për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

“Unë i jam përgjigjur ftesës së Kurtit për ta takuar në një darkë pune, sepse konsideroj se është e rëndësishme t’ia shpreh qëndrimet e mia dhe të PDK-së drejtpërdrejtë dhe qartë, sesa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij. Ajo që dua të them është se kjo nuk është asgjë e re”, pohoi Krasniqi.

Tutje, para gazetarëve, kreu i PDK-së ka theksuar se “unë dhe zotëri Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë të kryeministrit të Kosovës”.

“Unë besoj nga takimet që i kemi, në çdo cep të Kosovës se ne nuk jemi në një gjendje të mirë, Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, paga të vogla, çmime të larta, shëndetësi në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, arsim të degraduar, politikë të jashtme jo ekzistente, për më shumë një parlament jo funksional”, shtoi.

Tani sipas deputetit të PDK-së, “kemi edhe një situatë të vështirë e të rënduar sa i përket anëtarësisë së Kosovës në Këshillin e Evropës, përkundrazi duket se do të kemi një dështim”.

“Andaj ia shpreha edhe kryeministrit Kurti se konsideroj që duhet ta përshpejtojmë punën për t’iu dhënë zgjidhje këtyre temave”.

Krasniqi ka folur edhe për kandidimin e Bedri Hamzës nga partia e tij për kryeministër të Kosovës, derisa ka kërkuar që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

“Tashmë e kemi nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por një gjë është e domosdoshme, ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse situata e jashtëzakonshme dhe kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministrit Kurti ia shpreha këtë qëndrim”, theksoi Krasniqi.

“Ne jemi të gatshëm për datë të re të zgjedhjeve, ta shpërndajmë kuvendin me një mocion të përbashkët. Zgjedhjet janë nevojë, domosdoshmëri për t’iu dhënë përgjigje çështjeve. Ky është thelbi i diskutimit që i patëm sot”.

Ndryshe, Krasniqi është i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën e Kurtit. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e refuzuan ftesën e kryeministrit për të darkuar së bashku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore