Lajme

Qeveria e Kosovës dyfishon socialin për dy muajt e ardhshëm


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar vendimin për ndarjen e dyfishtë të pagesës së rregullt për përfituesit e skemave sociale.

Këtë e propozoi Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve Hekuran Murati nё mbledhjen e Qeverisё të mërkurën.

Ai ka propozuar ndarjen e mjeteve financiar për përfituesit e skemave sociale nё muajt nëntor dhe dhjetor që do tё përfitojnë dyfishin e pagesës sё rregullt dhe shtesës aktuale, shtesё e cila gjithashtu aplikohet si pjesё e masёs 3.2 tё Pakos sё Ringjalljes Ekonomike.

Vendimet tjera që u morën nga ekzekutivi kosovar këtë të mërkurë

Në mbledhje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se kanë anuluar vendimin për shpronësimin e pronave të cilat prekën nga realizimi i autostradës Prishtinë – Pejë.

Ndërsa sipas, ministrit të Financave, Hekuran Murati, raporti i auditorit ka gjetur shkelje të shumta në vendim.

“Qeveria me datën 17 dhjetor 2019 kishte nxjerrë vendim për shpronësimin e pronave të cilat preken nga realizimi i autostradës Prishtinë – Pejë. Objekti i shpronësimit i është nënshtruar auditimit, ku të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta. Janë fryrë kostot në dëmtim të buxhetit”, është shprehur Murati.

Gjatë mbledhjes është miratuar edhe projektligji për tokën ndërtimore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se për këtë tokë është punuar për shumë kohë në Ministrinë e Drejtësisë.

“Ky projektligj është bërë duke u ndërtuar në Kushtetutën e Kosovës. Projektligji për tokën ndërtimore përmban gjithsej 30 nene, me qëllim që i njëjti të ju përshtatet rrethanave juridike”, ka deklaruar Haxhiu.

Qeveria e Kosovës

Qeveria ka miratuar edhe projekt-rregulloren që i mundëson qytetarëve regjistrimin e veturave pa e paguar tatimin në pronë.

Me këtë rast, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se “nëse shfuqizohet udhëzimit administrativ, do të mundësohet regjistrimi më i lehtë i veturave”.

Sipas tij, kësisoj do të regjistrohen edhe më shumë vetura.

Gjatë mbledhjes është miratuar edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit, kandidatët për bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Me propozimin e komisionit Ad-Hoc, Qeveria i propozon Kuvendit, kandidatët si në vijim:

Midin Bojaxhiu, Qamil Suka, Gani Maliqi, Rrezarta Pushkolli Makolli, Shaqir Rexhepi, Ibush Luzha, Atifete Zuna, Selvete Grajcevci-Pllana, Behgjet Bytyqi, Jahir Gashi, Gani Kastrati, Ibrahim Krasniqi, Bexhet Nimani, Zenel Selfijaj, Bajram Hoxha.

Komisioni për Miniera dhe Minerale

Nga këta 15 emra, në Kuvend pritet të votohen 5 prej tyre.

Tjetër vendim që miratoi qeveria është koncept-dokumenti për vlerësimin strategjik-mjedisor.

Po ashtu, qeveria e Kosovës ka marr vendim që t’iu ndajë nga 100 euro të gjithë pensionistëve për muajin nëntor.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ndarë 30 milionë euro për të ju dalë në ndihmë përfituesve të skemës pensionale.

Qeveria ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të dalë me një pako masash, e cila do t’i ndihmojë qytetarët për të kaluar më lehtë rritjen e çmimeve të produkteve esenciale.

Kryeministri ka apeluar te qytetarët që të ruajnë qetësinë.

“Po angazhohemi për nxitjen e investimeve të reja në kapacitet prodhuese. Ka një keqpërdorim të rritjes së çmimeve. Kërkojë nga qytetarët që të ruajnë qetësinë, pasi shumë shpejt do të kemi një pako masash”.

Sipas tij, ky është mesazh i qartë për riorientimin e ekonomisë në prodhim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore