Përballje

Prishtina mëson kundërshtarët për kualifikimet në Ligën e Kampionëve


Skuadra e Prishtinës, e cila arriti të fitojë Kampionatin e Kosovës në futboll, do të marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Prishtina do të marrë pjesë për herë të pestë në eliminimet e Kupave të Evropës, që nga pranimi i Kosovës në UEFA, mirëpo kjo është hera e parë që bardhekaltërit do ta përfaqësojnë Kosovën në Ligën e Kampionëve.

Mirëpo, formati i kualifikimeve në Ligën e Kampionëve, dallon nga ai i Ligës së Evropës, në të cilin mori pjesë Prishtina për katër sezone radhazi.

Në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, fillimisht do të zhvillohet një fazë preliminare ku do të marrin pjesë katër ekipe, kampioni i Kosovës, Ishujve Faroe, Andorrës dhe San Marinos.

Skuadrat e kualifikuara në këtë raund preliminar, përveç Prishtinës, janë Havnar Boltfelag kampion i Ishujve Faroe dhe Inter Club d’Escaldes kampion i Andorrës.

Ndërkohë, kampioni i San Marinos përcaktohet në duelin e direkt që do të zhvillohet këtë të shtunë ndërmjet La Fiorita dhe Folgore.

Shorti për këtë raund preliminar do të hidhet më 8 qershor, pastaj më 22 qershor në kryeqytetin e Ishujve Faroe, në Torshavn, do të zhvillohen nga një ndeshje gjysmëfinale, kurse pas tre ditësh do të zhvillohet finalja, ku më pas fituesi do të kualifikohet në raundin e parë.

Kujtojmë që Prishtina asnjëherë nuk është ndeshur me këto skuadra, kurse me koeficient është më e mira së bashku me Havnar Boltfelag të cilat kanë nga 2250 pikë.

Për dallim nga vitet e kaluara, tani me formimin e UEFA Conference Leauge, ekipet që eliminohen në këtë raund dhe në raundin pas këtij, do të vazhdojnë garat në Conference Leauge.

Ndërsa skuadrat që eliminohen nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve, pas raundit të dytë, garat do t’i vazhdojnë në kualifikimet për UEFA Europa League.

Ndërsa çdo skuadër e eliminuar nga UEFA Europa League, deri pas përfundimit të garave nëpër grupe, dhe në raundin kualifikues paraprak, vazhdon garat në Conference Leauge.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore