Lajme

“Politikbërja në fushën e transportit po e bashkon rajonin”


Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ka qenë pjesëmarrës në konferencën e nivelit të lartë për transport i organizuar nga komuniteti i transportit të Bashkimit Evropian, ka thënë se Ballkanin Perëndimor po e bashkon politikbërja në fushën e transportit.

“Transporti dhe krijimi i lidhjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme janë vendimtare për rritjen tonë ekonomike dhe fqinjësisë së mirë në kuadër të proceseve të integrimit drejt një ekonomie të cilën ne të gjithë mund të përfitojmë nga bashkëpunimi i ndërsjellë”, ka deklaruar Aliu.

Aliu ka potencuar se ndërtimi i rrugëve të modernizuara, të pajisura me stacione të tarifimit elektrik dhe lëndëve të tjera alternative, përgjatë korridoreve kryesore rrugore dhe hekurudhore forcojnë anëtarësimin e rajonit në BE.

Kjo konferencë është organizuar nga Ministria e Investimeve Kapitale në Malin e Zi, së bashku me Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit, dhe Nismën e Evropës Qendrore.

Ajo ka si qëllim bashkimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të tyre në thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën e transportit.

Ministri Aliu muaj më parë ishte pjesëmarrës në samitin e “Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021”, i cili ishte mbajtur në Beograd.

Vizita e Aliut, ishte një nga vizitat e rralla të një zyrtari kosovar në kryeqytetin serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore