Lajme

Partitë opozitare vlerësojnë me notë negative 100 ditëshin e qeverisë Kurti


Ilustrim

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, si nismëtar i seancës plenare ku po debatohet për 100 ditëshin e qeverisë Kurti, e ka vlerësuar me notë negative performancën e këtij të fundit dhe të vetë kryeministrit në 100 ditët e para.

Tahiri ka deklaruar se është hera e parë që nga paslufta që opozita duhet ta ftojë Qeverinë në debat për 100 ditëshin, kjo pasi, “vet kryeministri nuk ka pasur guxim e material çka të prezantojë për punën 100 ditëshe në Kuvendin e Kosovës”.

Tahiri ka kritikuar qeverinë Kurti për mos plotësimin e premtimit për ndërtimin e 160 çerdheve.

“Albin Kurti kishte thënë në fushatë se do të ndërtojë 160 çerdhe. Në 1 mijë e 460 ditë mandat të plotë, i bie një çerdhe për çdo 9 ditë. Në këto 100 ditë, është dashur të nisin 11 prej tyre, por as gur themel s’kemi pa për një të vetme. As plan, as dizajn, as buxhet”, ka thënë tha Tahiri.

Më tutje ai kujtoi premtimin e Kurtit për themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, për të cilin tha se nuk është bërë ende asnjë hap nga qeveria Kurti 2.

“Kishte premtuar 150 euro për fëmijë në familjet me më pak se 5 mijë euro të hyra vjetore. Asnjë cent në këto 100 ditë. Kishte premtuar ekonomi ku ka më shumë prodhim e më shumë eksport, më shumë punëtorë e me shumë kontrata të punës. Jo veç që s’janë shtuar kontratat, por kanë mbete 60 mijë të papunë nga pandemia, e asnjë masë s’është ndërmarrë për ta”, tha Tahiri.

Duke folur për premtimin e Kurtit për depolitizimin e institucioneve, Tahiri ka thënë  se në fakt, në këto 100 ditë, institucionet janë super politizuar, dhe pushteti është shndërruar në ndërmarrje për punësime familjare.

Edhe Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar qeverinë Kurti për mos përmbushje të asnjë nga premtimet që është paraparë në programin qeverisës.

“Kjo qeveri nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet dhe parimet që është zotuar në programin e saj qeverisës. Për ta ilustruar këtë konstatim sot do ta analizojmë situatën e një ndërmarrje të vecantë sic është rasti Trepça”.

Drejtuar kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, deputeti Shala ka thënë se “më shumë se 10 vjet keni propaganduar, jeni munduar të analizoni, keni sharë e fyer parti politike e politkan, keni sharë e fyer pa ndërprerë menaxher të të gjitha niveleve”.

Ai ka pohuar se Bordet e përkohshme dhe kjo Qeveri nuk po arrin që të zbatojë as minimumin e Ligjit për Trepçën

“Ky veprim ka bërë që sot Trepca të jetë në një krizë të thellë ekonomike me dhjetëra milionë euro borxhe institucioneve publike e private, me rënie të madhe të prodhimit, me zvogëlim të investimeve kapitale, me zvogëlim të eksporteve, me përulje të imazhit deri në tokë, sot problemet e kësaj ndërmarrjeje në vend se të shuheshin ato po rriten dhe po rrezikojnë substancën dhe bërthamën e industrisë minerare në Kosovë”, ka thënë Shala.

Kritikë për 100 ditëshin e qeverisë Kurti ka pasur edhe nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, qeverinë Kurti e ka konsideruar të paaftë.

Sipas tij, paaftësinë e qeverisë tregon edhe raporti i Qeverisë prej 51 faqesh që sipas tij, 27 faqe ka fotografi dhe terminologji të thatë dhe mbesin vetëm 12 gjysmë faqe dhe një deklaratë politike.

“Në këto fotografi mungon Goran Rakiqi, Emilja Rexhepi, Fitim Damka, zotëri Krasniqi dhe gjysma e ministrive që s’kanë pasur aktivitet. E gjithë substanca ka të bëjë me qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit, sidomos tek pjesa e ringjalljes ekonomike që janë terma janë ndarë por asnjëherë si janë shpërndarë” ka thënë Zemaj.

Zemaj ka kërkuar të di se cilat marrëveshje janë anuluar që përmenden në raport, duke thënë se është hequr homologimi, por është shtuar tiketa ngjitëse.

“Është hequr homologimi por është shtuar tiketa ngjitëse. Është një ndryshim i cili në emër të asaj që po eliminohen marrëveshjet e dëmshme krijohen marrëveshje të ri dëmshme me shumë të vogël monetare por që janë të efektshme për rritjen e xhepit individual për personat e caktuar”, ka thënë Zemaj.

Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të jetë më serioze, t’i kthehet dinamikës së veprimit komplet në mandatin e saj qeverisës.

Pal Lekaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës (AAK), ka kritikuar Kryeministrinë Kurti për periudhën 100 ditore, duke e konsideruar qeverisjen e ngarkim shkarkimeve.

“Shumica e vendimeve të qeverisë janë për ngarkime dhe shkarkime të bordeve përmes të cilave keni arrit të rehatoni shumë partiak tuaj”.

Lekaj e ka kritikuar qeverinë edhe për numër të ulët të vaksinimit, duke thënë se ende nuk ka asnjë hap përveç përkrahjes së kufizuar të gastronomëve për program për rimëkëmbje ekonomike.

Deputeti i AAK-së ka komentuar edhe performancën e qeverisë dhe për mungesën e transparencës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“Vazhdimi i dialogut me Serbinë pa platformë dhe pa asnjë llogari para këtij kuvendi. Po doni t’i thyeni këmbët kur po ju thërrasin e ndoshta për ata s’po gjeni kohë asnjëherë që të vini e të raportoni për dialogun”.

Lekaj, ka kritikuar Kurtin, pasi sipas tij Kurti e ka thyer premtimin se ai nuk do të ulët në tavolinë me Vuçiçin.

“Keni manipuluar dhe mashtruar me familjet e të pagjeturve ndërsa sot paturpësisht uleni në tavolinë me Vucicin. Thonit se reciprociteti do të jetë një ndër gjërat e para që do të bëni sa po të vini në pushtet dhe kjo do të ishte çështje ditësh ose javësh. Tani keni hequr dorë nga reciprociteti e bile edhe po u bëni ndër tregtarëve serbë duke u lehtësuar futjen e mallit të tyre në Kosovë, ky është një tjetër mashtrim i madh për ju kryeministër”, ka deklaruar Lekaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore