Lajme

Osmani në Çikatovë: Personat që kanë urdhëruar masakrën po shpërblehen me pozicione të larta në Policinë e Serbisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për masakrën e Poklekut dhe atë të Çikatovës së Vjetër ka deklaruar se janë dëshmi se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha viktimat e popullit të Kosovës.

Sipas saj, të gjitha provat janë mbledhur, por Serbia në vend se t’i ndëshkoj ata që urdhëruan për këto masakra, ajo po i shpërblen.

“Njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima të popullit tonë. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek, dihen me emër dhe mbiemër. Për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendos drejtësi”.

“Dhe ata që urdhëruan këto masakra po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në Policinë e Serbisë”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se “akoma po vazhdon mendësia e mohimit të këtij gjenocidi”.

Teksa për ngjarjen në Poklek dhe për masakrën që ka ndodhur në të ka thënë se “ka ngjarë një holokaust i vërtetë”.

“Siç edhe e dini, diku 54 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica e tyre fëmijë fillimisht janë ekzekutuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen gjurmët e këtij krimi të llahtarshëm të forcave serbe në Kosovë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptarë të mos mbetet në tokën e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se masakrat e kryera në Kosovë janë akte të gjenocidit mbi popullin dhe civilët.

“54 vetëm këtu në Poklek janë ekzekutuar prej ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare të Serbisë. Pot, sot 24 vite më parë 128 civilë në përgjithësi në Kosovë janë vrarë prej shtetit serb. Dhe ne jemi këtu për të kujtuar ata që ranë për Kosovën”.

“Është ditë e dhimbjes, por edhe krenarisë, për arsye se pikërisht falë këtij gjaku të derdhur të popullit të Kosovës dhe sakrificave të panumërta që ne i kemi bërë si popull dhe si shoqëri, jemi çliruar dhe ka ardhur liria e Kosovës për popullin e Kosovës”, ka thënë ai.

Këto masakra, tha Konjufca, tregojnë më së miri se përse janë vrarë shqiptarët “vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare”.

“Masakra e Çikatovës e Poklekit dhe të gjitha masakrat e që Serbia i ka bërë në Kosovë e tregojnë qëllimin e vërtetë që ky shtet e ka pasur ndaj popullatës tonë, e qëllimi ka qenë shfarosja edhe zhdukja e kombit tonë, me qenë se nuk janë kursyer as fëmijët. Kjo tregon që të gjithë janë vrarë vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare, për shkak se kanë qenë shqiptarë”.

77 shqiptarë civil u vranë e më pas kufomat e tyre u dogjën nga forcat paramilitare e ushtarake serbe në fshatin Poklek i Vjetrër e Çikatovë e Vjetër në komunën e Drenasit, më 17 prill të vitit 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore