Kosova

Osmani: Ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale është i domosdoshëm


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënë ka takuar një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë të përbërë nga deputetë të partive të ndryshme politike në Austri, me ç’rast duke diskutuar për situatën e përshkallëzuar në Veri të Kosovës, Osmani ka potencuar se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët është i domosdoshëm.

Ndërsa është zhvilluar bisedë për zhvillimet e fundit në fushën e Sigurisë, Osmani, siç thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga Presidenca, ka përmendur edhe veprimet e vazhdueshme destruktive të Serbisë, të cilat, sipas saj, kanë për qëllim të drejtpërdrejtë destabilizimin e vendit.

Në këtë takim ndër të tjera, Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

“Presidentja Osmani shtoi se Kosova vlerëson mbështetjen e rëndësishme të Austrisë për integrimin e Kosovës në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare, duke theksuar se avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare sjellë më shumë stabilitet e prosperitet për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thuhet në komunikatë për media.

Osmani më tej ka folur edhe për potencialin ekonomik që ka Kosova dhe mjedisin e favorshëm për investitorët e huaj duke theksuar mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore