Lajme

Nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Zveçanit


Ilir Peci

Pas Komunës së Mitrovicës së Veriut e Leposaviqit, këtë të premte edhe në Komunën e Zveçanit ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit, Ilir Peci.

Kështu të paktën ka bërë të ditur iniciuesi i peticionit në Zveçan, Darko Vuksanoviç.

Mbledhja e nënshkrimeve po bëhet në një tendë të vendosur afër ndërtesës komunale në qendër të Zveçanit.

Procesi ka nisur në orën 9:00 të mëngjesit.

Iniciuesi i këtij procesi u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisiht për të nënshkruar peticionin për largimin e kryetarit të komunës, i cili sipas tij, është zgjedhur ilegalisht në atë pozitë.

Nga 7 mijë e 52 votues që janë në Zveçan nevojiten 20 për qind, pra 1 mijë e 411 nënshkrime që peticioni të cilësohet si i sukseshëm.

Mbledhja e nënshkrimeve në Zveçan

Deri më tani mbledhja e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve ka nisur në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq.

Anëtarja e grupit iniciues për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, Sanja Krtiniç, bëri të ditur se të mërkurën janë grumbulluar më shumë se gjysma e nënshkrimeve të nevojitura për nisjen e procesit të shkarkimit të Atiqit.

“Jemi shumë të kënaqur me reagimin e qytetarëve duke qenë se kjo është vetëm dita e parë e mbledhjes së nënshkrimeve. Kemi mbledhur më shumë se gjysmën e 3 mijë e 640 votave të nevojshme”, potencoi ajo

Krtiniç ndër të tjera deklaroi se procesi ka kaluar pa ndonjë incident ose parregullsi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore