Shëndet

Neuroshkenca tregon se sa të lidhur jemi me njëri-tjetrin – edhe në kohë izolimi


Afërsia fizike nuk është e nevojshme që të kemi efekt në biologjinë e njëri-tjetrit”, konsideron Lisa Feldman Barrett.

Lisa Feldman Barrett, e njohur për Teorinë e Emocioneve të Ndërtuara, është profesoreshë e shquar universitare e psikologjisë në Universitetin Verilindor, e cila është e përqendruar në shkencën afektive.

Po ashtu, ajo është drejtoreshë e Laboratorit të Shkencave Ndërdisiplinore Afektive.

Hulumtimet pikërisht në këtë laborator tregojnë se në çdo moment të jetës, truri rregullon pjesët e brendshme të trupit, përfshirë këtu organet, hormonet dhe sistemin imunitar, për t’i mbajtur njerëzit gjallë.

Barrett, për të ilustruar procesin e trurit, bën një krahasim ku thotë se “procesi i trurit është si menaxhimi i buxhetit shtëpiak, por në vend të parave, truri juaj buxheton ujë, kripë, glukozë dhe burime të tjera trupore ndërsa i fitoni dhe i humbni ato”.

Ajo vazhdon duke krahasuar veprimet që shpenzojnë burime, të tilla si ushtrimet ose bisedat stresuese, si tërheqje nga llogaria, ndërsa veprimet që rimbushin burimet, të tilla si ngrënia, gjumi dhe përqafimi i një kafshe të dashur, si depozita.

Këto detaje të procesit të vazhdueshëm të buxhetimit të trurit nuk mund të vihen re. Njerëzit nuk mund ta ndjejnë gjakun duke vërshuar nëpër vena, mëlçinë duke pompuar bilën ose qelizat që metabolizojnë glukozën, ashtu siç shohin objekte dhe dëgjojnë tinguj të veçantë.

Në vend të kësaj, thellë brenda trupit, kjo simfoni e ndryshimeve të koordinuara prodhon ndjenja të thjeshta: të këndshme, të pakëndshme, aktive dhe të qetë.

Kur diçka ndodh në botën tuaj që kërkon depozitë ose tërheqje, prish këtë koordinim të brendshëm dhe ju mund të përjetoni një ndryshim të humorit, nga një pëshpëritje e rehatisë në një cunami.

Ndryshimi nuk zbulon se çfarë ka ndodhur ose çfarë duhet bërë në lidhje me të, por vetëm se truri beson se diçka e rëndësishme do të ndodhë. Ju mund ta përcaktoni atë si “intuitë”. Shkencëtarët e quajnë atë “afekt”.

Në vijim është një copë shkrimi përmes së cilit Barrett më gjerësisht elaboron se si neuroshkenca shtjellon faktin se sa të lidhur jemi me njëri-tjetrin edhe në kohë izolimi:

Para Covid-19, buxhetimi i trupit në jetën moderne ishte jostabil. Shumë prej nesh ishin të privuar nga gjumi, të stresuar në media sociale, duke mos ushtruar mjaftueshëm dhe duke ngrënë “ushqime” të ngarkuara me sheqer të rafinuar dhe yndyra të këqija.

Pandemia i përkeqësoi këto probleme, së bashku me shqetësimet financiare, presionet e prindërve, izolimin shoqëror dhe, natyrisht, frikën nga vdekja. Shkalla e depresionit u dyfishua. Në përgjithësi, buxhetet e trupit tonë po shohin më shumë tërheqje dhe më pak depozita.

Por, në këto sfida me të cilat përballemi, ne mund të zbulojmë fara të rezistencës, me neuroshkencën për bazë. Shumë gjëra në botën e jashtme mund të ngritin buxhetin e trupit tuaj, dhe kjo përfshin qenie të tjera njerëzore.

Në një mënyrë shumë reale, biologjike, ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin përmes buxhetit të trupit. Në një moment besimi ose afeksioni, për shembull, rrahjet e zemrës ose frymëmarrja mund të sinkronizohen. Kur ngrini zërin, apo edhe vetullën tuaj, ju mund të ndikoni në kimikatet që barten në qarkullimin e gjakut të dikujt tjetër.

Këto lloje të lidhjeve fizike ndodhin midis foshnjave dhe kujdestarëve të tyre, midis terapistëve dhe klientëve të tyre, midis miqve ose të dashuruarve, madje edhe midis njerëzve që lëvizin së bashku në një klasë të yogas ose këndojnë në kor. Njerëzit i vërejnë këto ndryshime të buxhetit trupor kryesisht si ndryshime të humorit.

Të qenit kujdestarë të buxheteve të trupit të njëri-tjetrit është sfiduese kur kaq shumë prej nesh ndihen të vetmuar ose janë fizikisht vetëm. Por distanca shoqërore nuk do të thotë izolim shoqëror. Njerëzit kanë një fuqi të veçantë për tu lidhur dhe rregulluar njëri-tjetrin në një mënyrë tjetër, madje edhe në distancë: me fjalë.

Nëse keni marrë ndonjëherë një mesazh nga një person i dashur dhe keni ndjerë një ngrohtësi, ose jeni kritikuar nga shefi juaj dhe jeni ndjerë sikur ju kanë goditur me grushte, ju e kuptoni këtë lidhje përmes fjalëve.

Në laboratorin tim kërkimor, ne kryejmë eksperimente për të demonstruar këtë fuqi të fjalëve. Pjesëmarrësit tanë qëndrojnë të qetë në një skaner të trurit dhe dëgjojnë përshkrime të situatave të ndryshme.

Përderisa ata dëgjojnë këto përshkrime, ne shohim aktivitet të shtuar në regjione të trurit që kontrollojnë rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, metabolizmin dhe sistemin imunitar. Të njëjtat regjione të trurit që përpunojnë gjuhën, gjithashtu ndihmojnë për të drejtuar buxhetin e trupit tuaj. Fjalët kanë fuqi mbi biologjinë tuaj!

Pjesëmarrësit tanë gjithashtu kishin aktivitet të rritur në regjionet e trurit që përfshijnë vizionin dhe lëvizjen, edhe pse ishin të shtrirë dhe sy të mbyllur. Truri i tyre ndryshonte shkrepjen e neuroneve për të simuluar shikimin dhe lëvizjen në syrin e mendjes së tyre.

Kjo aftësi e njëjtë mund të ndërtojë një lidhje, nga disa sekonda audio me cilësi të dobët të telefonit celular, ose nga një drejtkëndësh me piksele në formën e fytyrës së një shoku.

Në kohën e distancës shoqërore, përmes Zoom, rizbulova përfitimet e buxhetit trupor të mjeteve të vjetra të komunikimit, siç është shkrimi i letrave. Dorëshkrimi i dikujt mund të ketë një ndikim emocional të papritur. Një copë letër bëhet një valë dashurie, mirënjohjeje e po ashtu një e qeshur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore