Lajme

Nagavci shkarkon tre drejtorë të Ministrisë së Arsimit


Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit, të mërkurën, ka shkarkuar tre drejtorë brenda këtij dikasteri.

Bëhet fjalë për Drejtorin e përgjithshëm të Inspektorit të Arsimit, Dëfrim Gashi, Drejtorin e përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, dhe Drejtorin e Institutit Pedagogjik të Kosovës, Nezir Çoçaj.

Ministria e Arsimit, e cila udhëhiqet nga Arbërie Nagavci ka shkarkuar të tri drejtorët me arsyetimin e njëjtë “se janë identifikuar parregullsi dhe shkelje esenciale të dispozitave ligjore sa i përket emërimit dhe kohëzgjatjes së marrëdhënies së punës”.

Gashi është emëruar në këtë pozitë më 3 tetor të vitit 2016. Sfishta, është emëruar në këtë pozitë më 21 qershor të vitit 2012 ndërsa Çoçaj, ka marrë detyrën më 15 dhjetor të vitit 2013.

Shkarkimet në Ministrinë e Arsimit kanë ardhur vetëm pak ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi ligjin për zyrtarët publikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore