Lajme

MSH-ja miraton dhënien e vaksinës anti-COVID për fëmijët mbi 5 vjeç


Vaksinimi antiCOVID.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se të enjten e 14 korrikut ka miratuar dhënien e vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç.

“Pas sigurimit ditë më parë  dozave pediatrike të vaksinës kundër COVID-19, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes mekanizmit COVAX dhe sigurimit të materialeve përcjellëse për vaksinim, fëmijët e moshës 5-11 vjeç, nën përkujdesjen e prindit ose kujdestarit ligjor, mund të vaksinohen që tani kundër COVID-19 në njësitë e vaksinimit në komunat e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Sa i përket moshave të tjera, MSH-ja ka rikujtuar mundësitë për vaksinim.

Ministria e Shëndetësisë.

“Grupmosha 60+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e katërt me kusht që të kenë kaluar së paku 4 muaj nga marrja e dozës së tretë, grupmosha 12+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë, grupmosha 5-11 vjeç me dozën e pare dhe dozën e dytë”.

Ndërsa, ka apeluar tek qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19 për të parandaluar sëmundjen, format e rënda të saj dhe vdekjet nga COVID-19.

Ndryshe, deri tani është lejuar vetëm vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç.

Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen.

Ndryshe, me 5 korrik, Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur përmes një komunikate se për 15 ditë, numri i rasteve aktive është 11-fishuar.

MSH-ja, ka sqaruar se rritja ka ndikuar që edhe të ketë të shtrirë me COVID-19 në spitale, ani pse tash e një kohë nuk ka pasur të shtrirë në spitale e QKUK-së me Coronavirus.

“Rrjedhimisht, kjo ka reflektuar edhe me shtrime të reja të pacientëve në spital të prekur nga COVID-19. Aktualisht, 25 pacientë të infektuar po trajtohen në spitalet e Kosovës nga COVID-19”.

Ndryshe, në muajin maj Albanian Post kishte vizituar Klinikën Infektive në të cilën kishte qenë një situatë krejtësisht e qetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore