Lajme

Një dozë e katërt e vaksinës anti-COVID’19 – a rrezikojmë të krijojmë varësi?


Më 7 korrik Ministria e Shëndetësisë miratoi rekomandimin e Komitetit për imunimizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 për lejimin e vaksinimit me dozën e katërt të grup-moshës së popullatës mbi 60 vjeç, të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë.

Por, pse edhe një vaksinë më tepër?

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, në një bisedë për Albanian Post sqaron se secila dozë e vaksinës ka një përqindje të caktuar të mbrojtjes kundër COVID-19.

“Një dozë vaksine siguron një mbrojtje rreth 30 për qind dy doza të vaksinës e dyfishojnë mbrojtjen deri në 60-75 për qind nëse kemi tri doza rritet mbi 85 për qind mbrojtja mbi katër doza mbrojtja është më shumë se 95 për qind. Kështu që jo vetëm mbrojtja bazë, por edhe rifreskimet kanë profitin e tyre shëndetësor për të gjithë pacientët që i marrin ato”, thotë Dollenberg.

Sipas saj, vaksinimi nuk krijon varësi dhe për personat të cilët kanë imunitet të dobët vaksina anti-COVID është e domosdoshme.

“Për fatin e mirë vaksinimi nuk krijon varësi, sepse nuk është një medikament që jepet çdo ditë dhe trupi ambientohet. Organizimi i njeriut nuk e kërkon në mënyrë të rregullt prandaj varësia është e përjashtuar. Por, mund të flasim për një marrje sistematike për ata të cilët janë mbi moshën 65 vjeç dhe që kanë sëmundje kronike me dobësi imunitare, marrja sistematike do të bëhet një herë në vit maksimalisht”.

Ndërkaq, sa i përket diskutimeve se a mund të jetë çështja e vaksinimit edhe biznes, ajo pohon se kjo është detyrë e stafit shëndetësor të kontrollojë vaksinimin se kur është i nevojshëm.

“Çështja e biznesit në firma të cilat e prodhojnë vaksinën është detyra e jona si mjekë që të rregullojë abuzimin me marrjen e vaksinës dhe dhënien e saj vetëm atëherë kur është e domosdoshme, vaksinat duhet të merren në rast se pacienti ka edhe një histori që tregon se ka një rrezik të lartë për të kaluar edhe COVID-19”.

Dollenberg, thekson se vaksinimi do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme nëse bazohemi në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Për vitet në vazhdim tre deri në pesë vite parashikohet nga ana e OBSH-së që vetëm grupmosha të caktuara dhe me dobësi imunitare do jenë të detyruar të e marrin në mënyrë vjetore vaksinën, pjesa tjetër e popullatës që është e shëndetshme nuk është e detyruar të marrë vaksinen çdo vit kundër COVID-19”.

I kontaktuar nga Albanian Post edhe drejtori i Infektives, Arben Vishaj, ka thënë se është i pajtimit që të jepet edhe doza e katërt e vaksinës.

“Rekomandimet të cilat janë dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik janë të duhura dhe ne i mbështesim”, ka thënë Vishaj për AP.

Sa i përket situatës aktuale në Klinikën Infektive me pacientë të infektuar me Coronavirus, ai ka bërë të ditur se janë 10 pacientë.

Dozat e para të vaksinës në Kosovë.

“8 pacientë janë në repart me oksigjenoterapi, ndërsa 2 pacientë janë në mjekimin intenziv”.

Albanian Post, kishte dërguar pyetje edhe në ministrinë e Shëndetësisë të cilët kishin sqaruar se doza e katërt e vaksinimit është në diskutim.

“Komiteti për imunizim kundër COVID-19 do ta diskutojë edhe cështjen e dozës së katërt, para se të bëj rekomandimin përfundimtar”.

Ndryshe, me 5 korrik, Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur përmes një komunikate se për 15 ditë, numri i rasteve aktive është 11-fishuar.

MSH-ja, ka sqaruar se rritja ka ndikuar që edhe të ketë të shtrirë me COVID-19 në spitale, ani pse tash e një kohë nuk ka pasur të shtrirë në spitale e QKUK-së me Coronavirus.

“Rrjedhimisht, kjo ka reflektuar edhe me shtrime të reja të pacientëve në spital të prekur nga COVID-19. Aktualisht, 25 pacientë të infektuar po trajtohen në spitalet e Kosovës nga COVID-19”.

Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë shënuar 230 mijë e 54 raste pozitive, ndërsa kanë vdekur 3.140 persona.

Ndryshe, në muajin maj Albanian Post kishte vizituar Klinikën Infektive në të cilën kishte qenë një situatë krejtësisht e qetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore