Lajme

Mehmeti: “Komercijalna Banka” në 2022-ën paralajmëroi mbylljen e degëve në Kosovë


Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, lidhur me pushimin e aktiviteteve të “Komercijalna Banka”, ka thënë se në vitin 2022, ishte paralajmëruar mbyllja e degëve në Kosovë.

Mehmeti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se “NLB Banka Beograd” dhe “Komercijalna Banka”, ishin bërë bashkë më 22 maj të 2022-ës.

“Rreth degëve Komercijalna Banka`, që kanë qenë në Kosovë, sa isha guvernator i BQK-së, e kam përcjellë procesin nga afër së bashku me investitorët sllovenë, partnerët dhe miqtë. Investitori “NLB Group”, kishte paralajmëruar se do të mbyllte filialet e kësaj banke në Kosovë, për shkak se i njëjti ka në pronësi bankën “NLB Prishtina”, ka shkruar ai.

Mehmeti, ka shprehur gatishmërinë që të jap kontributin e tij në takimet që i ka pasur me përfaqësues të NLB Group.

“Një gjë dua të sqaroj se në takimet që kemi pasur me sllovenët, BQK u ka sugjeruar që të blejnë në tërësi aksionet. Ata janë pajtuar që likuidimi i ‘Komercijalna Bankës’ të bëhet në mënyrë vullnetare gjë që ndodhi këto ditë”.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, tha se shpreson që përfundimi i veprimtarisë së një prej rrjeteve më të mëdha të degëve bankare në Serbi “Komercijalna Banka AD Beograd” pas 18 viteve operimi në Kosovë, nuk do të rrezikojë hapjen e një banke tjetër të Serbisë në vend.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi se veprimtaria e një prej rrjeteve më të mëdha të ATM-ve dhe degëve bankare në Serbi “Komercijalna Banka AD Beograd” përfundoi vullnetarisht operimin në Kosovë – kjo bankë komerciale serbe ishte licencuar nga BQK-ja në vitin 2007 dhe operoi në komunën e Mitrovicës dhe tetë nën-degë tjera në territorin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore