Lajme

Bajrami: Uroj që mbyllja e “Komercijalna Banka” nuk do të thotë “bankë tjetër” e Serbisë në Kosovë


Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, tha se shpreson që përfundimi i veprimtarisë së një prej rrjeteve më të mëdha të degëve bankare në Serbi “Komercijalna Banka AD Beograd” pas 18 viteve operimi në Kosovë, nuk do të rrezikojë hapjen e një banke tjetër të Serbisë në vend.

“Unë veç uroj që politizimi i kësaj çështje, në këtë moment mos të hapë mundësinë për kërkesë për një licensë të re – të një banke tjetër të Serbisë në Kosovë!”, shkroi deputetja Bajrami, duke thënë se mbyllja e “Komercijalna Banka” erdhi si rezultat i blerjes së filialeve nga “NLB Slovenia” dhe “nuk ka të bëjë asgjë” ekzekutivi me mbylljen e bankës serbe në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi se veprimtaria e një prej rrjeteve më të mëdha të ATM-ve dhe degëve bankare në Serbi “Komercijalna Banka AD Beograd” përfundoi vullnetarisht operimin në Kosovë – kjo bankë komerciale serbe ishte licencuar nga BQK-ja në vitin 2007 dhe operoi në komunën e Mitrovicës dhe tetë nën-degë tjera në territorin e Kosovës.

“Prandaj mbyllja e ‘bankës komerciale’ nuk ka të bëjë asgjë as me veprimet e qeverisë dhe as të BQK-së, ky ka qenë veprim i natyrshëm që ka filluar tashmë që nga shitja e kësaj banke, përmes likuidimit vullnetar”, shkroi mes tjerash deputetja kosovare në një postim dedikuar krekosjes së zyrtarëve të Qeverisë së Kosovë për ‘mbylljen” e një prej bankave serbe në Kosovë.

E nga 1 shkurti (nesër, e enjte) do të hyjë në fuqi rregullorja e ndryshuar e BQK-së mbi operacionet me para të gatshme, por autoritet kosovare lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë që vazhdon të përdorë në mënyrë ilegale dinarin serb për pagesa/transaksione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore