Lajme

Macron: Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për Asociacionin


Ilustrim: Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

Në mesin e shumë urimeve për pavarësinë e Kosovës, të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar për nder të 16 vjetorit, më e rëndësishmja për nga pesha politike – përveç asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ajo e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

I drejtpërdrejtë në kërkesë, Macron në letrën e urimit dërguar më 13 shkurt presidentes Osmani ka apeluar që Qeveria e Kosovës të procesojë tutje me zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, meqë në vlerësimin e tij javët e ardhshme do të jenë vendimtare për “zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit”.

Marrë për bazë luftën në Ukrainë dhe kërcënimi i stabilitetit në Lindjen e Mesme, Macron, ka konsideruar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë “përbën një çështje madhore”.

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”.

Ai në letrën ndër të tjera ka shpresuar që Kosova do të marrë vendime të guximshme, vendime këto, të cilat, sipas tij janë të “nevojshme dhe që do t’i lejojnë asaj të përparojë në trajektoren e saj evropiane”, thuhet në letre.

Letra e Emmanuel Macron

Përveç Macron edhe presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, në letrën e urimit të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kishte kërkuar nga Kosova zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu, por pa e potencuar në veçanti Asociacionin, siç ka kërkuar Macron.

Në urimin një faqesh, Biden kërkoi që liderët kosovarë të përmbushin të gjitha obligimet në kuadër të dialogut, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura ndër vite në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimit Evropian.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”.

Biden letër Osmanit: Përmbushni obligimet tuaja, të gjitha

Javët e ardhshme janë vërtet vendimtare në përcaktimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës sidomos para samitit të marsit 2024, Bashkimi Evropian do ta zyrtarizojë kushtin e implementimit të Marrëveshjes Bazike si kusht thelbësor në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, krahas këtij vendimi, BE do ta vendosë zyrtarisht implementimin e Marrëveshjes Bazike si kusht kryesor për thithjen e fondeve nga fondi 6 miliardësh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Pra, BE do të vendosë një derë me dy brava që i hap po i njëjti çelës.

Në takimin e gjashtë të radhës në mes të Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it, Kosova e Serbia, pranuan Marrëveshjen Bazë – derivat i propozimit franko-gjerman – e cila brenda kishte edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Ujdia nga ndërkombëtarët u cilësua si më e mira e mundshme në rrethanat aktuale, meqë si Kosova ashtu edhe Serbia jepnin diçka për të fituar diçka tjetër dhe kështu startonin një maratonë të gjatë diplomatike për t’i normalizuar raportet.

Ndonëse më 27 shkurt të 2023-ës takimi trepalësh mes Albin Kurtit e Aleksandar Vuçiç-it, i ndërmjetësuar nga shefi i Bashkimit Evropian Josep Borrell, kishte përfunduar pa firmë në marrëveshjen e arritur, sipas Kurtit, kjo s’do të thotë që marrëveshja s’mund të nënshkruhet këtë muaj, në 1 vjetorin e ngjarjes.

Kurti ka deklaruar para gazetarëve se përgjigja e tij do të jetë pozitive nëse ftohet për të nënshkruar.

“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe i përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel e raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet që ka qenë i suksesshëm”, deklaroi Kurti, edhe pse vetë në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje thoshte se Marrëveshja e arritur në Bruksel është rezultati më i madh diplomatik i Kosovës.

“Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, këto do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin e marsin e 2023-s, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, është shprehur Kurti para gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore