Shqipëria

LSI njësh me Berishën: Deputeti Basha ka mashtruar 10 vjet, tani po provokon LSI-në


Primaret e Berishës, i quajnë të jashtëzakonshme. Linjën, e kanë tashmë të njehsuar.

Lëvizja Socialiste për Integrim, është një me palën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, në qëndrimet e tij dhe në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, ata do të jenë së bashku në koalicionin e quajtur “Shtëpia e Lirisë”.

“Deputeti Basha i cili mashtroi për 10 vite e si bëri kurrë tani provokon LSI-në për të shmangur vëmendjen nga kandidatët që caktohen me zarfe në minutë të fundit prej 10 vitesh”.

Kështu shkruhet në postimin e publikuar në Facebook nga forca politike.

Sipas tyre, synimi është një: Rivendosja e integritetit të votës së lirë.

Nga vetë radhët e demokratëve, kjo lëvizje e bashkimit të Berishës me LSI-në, është pagëzuar me termin “koalicion non grata”.

“Koalicioni non grata nuk do ta mbajë Shqipërinë në vendnumëro, hallet e Berishës, Ramës dhe Metës, nuk janë hallet e shqiptarëve”, shkruhet në reagimin e PD-së.

Vetë Berisha sakaq, ka bërë me dije se po negociohet edhe me parti të tjera, për shtimin e koalicionit të tij me LSI-në, duke angazhuar forca politike.

Më 30 janar ndërkohë, Komisioni i Rithemelimit shpalli edhe kandidaturat për gjashtë bashkitë ku zhvillohen zgjedhje lokale.

Ata do të jenë Bardh Spahia në Shkodër, Ardian Muka në Durrës, Premtim Kryemadhi në Dibër, Elton Bano në Lushnjë, Hekuran Xhani në Rrogozhinë dhe Lulzim Vrana në Vorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore