Lajme

Lajçak udhëton në Londër për konsultime mbi dialogun Kosovë-Serbi


Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se të mërkurën e 29 marsit është nisur drejt Londrës për t’u konsultuar mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se në këtë vizitë do të qëndrojë për dy ditë.

“Pas një dite intensive dje në Berlin, të mbushur me takime në Kancelarinë, Ministrinë e Jashtme Federale dhe Bundestag, tani po shkoj në Londër për dy ditë konsultimesh mbi Dialogun”, ka shkruar ai.

Ndryshe, më 23 mars, Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se çdo përpjekje e Kosovës apo e Serbisë për të vënë në pikëpyetje Marrëveshjen e dakordësuar fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të jetë e kotë.

“Marrëveshja duhet të zbatohet, nuk ka hapësirë për zgjedhje. Çdo pjesë e Marrëveshjes duhet të zbatohet”, pati thënë Borrell.

Diplomati spanjoll ka garantuar se Bashkimi Evropian do të monitorojë nga afër se kush po e zbaton Marrëveshjen e kush jo.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore