Lajme

Borrell i prerë: Çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje Marrëveshjen është e kotë


Josep Borrell

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se çdo përpjekje e Kosovës apo e Serbisë për të vënë në pikëpyetje Marrëveshjen e dakordësuar fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të jetë e kotë.

“Marrëveshja është e dakorduar, ajo duhet të zbatohet nuk ka hapësirë për zgjedhje. Çdo pjesë e Marrëveshjes duhet të zbatohet në mënyrë holistike”, ka thënë Borrell.

Diplomati spanjoll ka garantuar se Bashkimi Evropian do të monitorojë nga afër se kush po e zbaton Marrëveshjen e kush jo.

“Unë do t’i këshilloja palët që të mos i drejtojnë gishtin askujt, por t’i bëjnë punët e tyre”, ka thënë Borrell.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore