Lajme

Kurtit i shkojnë ambasadorët e QUINT-it në Qeveri pas takimit në Ohër


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it. Foto nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën është takuar me ambasadorët e QUINT-it, takimi është duke u zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë.

Ky takim vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Foto: Agjencia e lajmeve EkonomiaOnline

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Më 6 mars, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së, me të cilët kishte biseduar për dialogun me Serbinë dhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja kishte theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore