Lajme

Osmani – ambasadorëve të QUINT-it: Aneksi për zbatimin e marrëveshjes bazë s’duhet ta cenoj sovranitetin e Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së, me të cilët ka biseduar për dialogun me Serbinë dhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presidentja Osmani potencoi se dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim nga zyra e Osmanit për media.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë dialogun me Serbinë, hapat e mëtutjeshëm, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë”.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani po ashtu theksoi se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia të hënën e 27 shkurtit, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Marrëveshjen e 27 shkurtit nuk e ka nënshkruar, por vetëm e ka pranuar në mënyrë simbolike.

Takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç do të mbahet më 18 mars në Maqedoni të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore