Lajme

Kurti në konferencë me kancelarin austriak: Larg qoftë të ndodhë diçka me 3 prill


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij austriak, Karl Nehammer, ka thënë se ata që do të dëshirojnë të destabilizojnë Kosovën në rast se nuk do të mbahen zgjedhjet serbe të tre prillit në Kosovë, nuk do të kenë sukses.

Për të parin e ekzekutivit mund të ketë ndokush që do të dëshirojë të destabilizojë e të krijojë incidente në vend, mirëpo sipas tij një gjë e tillë nuk do të burojë nga mesi i kosovarëve.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Brukselin edhe me ambasadat e QUINT-it dhe besojmë që nuk do të ketë kurrfarë problemesh, por edhe nëse, largqoftë, do të ketë ndonjë ekses, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë. Kemi nevojë për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe dita e tre prillit nuk besoj që do të jetë ndryshe”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit në zgjedhjet e tre prillit, Qeveria dëshiron që në Kosovë të respektohet kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit.

“Nuk duam që ta pengojmë ta pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaporta të serbisë të drejtën e tyre të votës”, ka thënë ai.

Ndryshe, dy muaj më parë Kuvendi i Kosovës, me 76 vota pro asnjë kundër dhe një abstenim në një seancë të jashtëzakonshme me miratimin e një rezolute kishte ndaluar organizimin e Referendumit serb në territorin e Kosovës.

Rezoluta e miratuar me 15 janar të këtij viti e që Kurti i është referua në konferencë e ditës së premte përmbante tetë pika, ku njëra ndër pikat thoshte se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e saj si dhe normat dhe praktikat ndërkombëtare.

Në anën tjetër Derek Chollet, këshilltari i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte realizuar një bisedë telefonike për të dytën herë me radhë me Kurtin, për të njëjtën temë – krijimi i mundësisë që qytetarët serbë të Kosovës të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë me tre prill.

“Pata një bisedë të mirë me Kurtin sot. E falënderova atë për mbështetjen e fortë ndaj Ukrainës dhe theksova rëndësinë që qytetarët me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, kishte shkruar Chollet në rrjetin e tij social në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore