Lajme

Kurti kritikon Prokurorinë: S’po punoni, ka shumë pak aktakuza për sulmet në Veri  


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ku shpalosi disa nga informacionet e Qeverisë së Kosovës në raport me planet e paramilitarëve serb për sulme të ardhshme në Kosovë, kritikoi Këshillin Prokurorial të Kosovës, meqë sipas tij, pas muajsh të tëra nga sulmi terrorist në Banjë, nuk ka informacione e as aktakuza.

“Këshilli Prokurorial, kryeprorkuria e shtetit, tre muaj pas sulmit terrorist në Banjë ende nuk ngritën aktakuza dhe nuk njoftuan publikun për sulmin më të madh të orkestruar ndaj Republikës sonë, jo vetëm në vitin 2023, jo vetëm ndaj Policisë së Kosovës, po integriteti territorial. Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm”, ka thënë ai fillimisht.

Ai ndër të tjera ka bërë të ditur se nuk ka informacion të Qeverisë së Kosovës të cilët nuk i janë dhënë Prokurorisë së Shtetit.

“Ka pa numër fakte dhe dëshmi materiale që janë më se të mjaftueshme për të ngritur aktakuzat për sulmin në Banjë. Ka shpërputhje shumë të madhe mes informacionit, fakteve, dëshmive e argumenteve në njërën anë dhe aktakuzave e proceseve gjyqësore në anën tjetër”.

Sipas Kurtit, Qeveria e Kosovës ka ofruar ndihmë Prokurorisë së Shtetit për rastet në Veri të Kosovës.

“Ata janë aty për të punuar. S’mund ta ndihmoj dikë që s’punon. Mund ta ndihmoj dikë vetëm që punon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore