Lajme

Kurti i tregon Abbott cilat kushte duhet plotësohen që të de-eskalohet situata në Veri


Nicholas Abbott dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte, ka takuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, për të diskutuar për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët në ndërtesat e kuvendeve komunale në Veri, nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Kurti, sipas një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, i ka thënë ambasadorit Abbott, se situata mund të shtensionohet pas vendosjes së plotë të sundimit të ligjit në katër komunat në Veri të Kosovës.

“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti, theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara”.

“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në Veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”.

Ndryshe një ditë më parë Kurti, njoftoi, se kishte biseduam me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Siç njoftoi zyra e kryeministrit biseda ishte e përqendruar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, “me theks te situata në katër komunat në Veri të vendit, për çka kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly për kronologjinë e ngjarjeve dhe e përditësoi me më të rejat”.

“Kryeministri tha se situata këto ditë është përgjithësisht e qetë sepse nuk ka sulme të urdhëruara dhe të orkestruara nga Beogradi ndaj forcave të rendit dhe sigurisë”.

“Për sa i takon rrugës përpara drejt deeskalimit të plotë ai tha se sundimi i ligjit duhet të jetë hapi dhe parimi bazë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore