Lajme

Kurti: Betimi i kryetarëve të rinj në Veri do të ndodhë të enjten në ndërtesa publike


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij hyrëse në mbledhjen e 143-të të Qeverisë së Kosovës, ka vlerësuar zgjedhjet jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore më 23 prill të këtij viti.

Gjatë fjalimit të tij shefi i Qeverisë ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, do betohen të enjten.

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj”, tha ai fillimisht.

Ndërsa foli për zgjedhjet e 23 prillit, Kurti tha se procesi u zhvillua i qetë dhe u organizua në mënyrë paqësore, megjithatë frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtarë nuk munguan.

“Nuk pati asnjë incident, zgjedhjet ishin të qeta dhe paqësore, frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikojë drejtpërdrejtë në ndaljen e ulët të qytetarëve tanë në këto zgjedhje. Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik, fushata të tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokal janë të shpeshta dhe të vazhdueshme”, tha ai fillimisht.

Zgjedhja e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore të Kosovës të cilët mbetën pa udhëheqës më shumë se gjashtë muaj dhe rrjedhimisht betimi i tyre, për Kurtin, është një proces normal.

Jo-normale gjithë në këtë mes sipas tij është mungesa e shërbimeve komunale për serbët që jetojnë në këto komuna.

Prandaj sipas tij veprimet e Qeverisë së Kosovës në raport me zgjedhjet në Veri, kanë pasur në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Të premten e kaluar kryetari i zgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, bëri betimin e tij kjo është normale, pas një procesi zgjedhor, e nënkryetarja e Komunës u emërua, Katarina Axhanxhiç, që vjen nga radhët e komunitetit serb edhe kjo është normale për këtë komunë, dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak një egjiptian dhe një shqiptar, e ky është progres që duhet normalizuar”, ka pohuar Kurti.

“Kanë kaluar mbi gjashtë muaj kur këto katër komuna mbeten pa kryetarë, dy prej tyre dhe pa kuvende e banorët atje pa shërbime komunale e kjo nuk është normale”, ka shtuar ai.

Strukturat paralele dorëzojnë shtetin, pamundësohet betimi i kryetarit në objekt të Komunës në Zveçan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore