Lajme

Strukturat paralele dorëzojnë shtetin, pamundësohet betimi i kryetarit në objekt të Komunës në Zveçan


Qeveria e Kosovës, të zgjedhurit e rinj dhe Policia e Kosovës nuk kanë arritur që të krijojnë kushtet e nevojshme që kryetari i ri i Komunës së Zveçanit të betohet për mandatin e jashtëzakonshëm 2 vjeçar në objektin komunal.

Me 25 maj, Ilir Pecit, kryetar i zgjedhur i Zveçanit me 23 prill, do të duhet ta improvizojë procedurën e betimit në ndonjë objekt diku në fshatin Boletin.

Në një prononcim për Albanian Post, Peci tha se akoma nuk e di saktë se ku në Boletin do të mbahet seanca ceremoniale, meqë për këtë ka vendosur asamblisti më i vjetër i komunës në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Për shkak se unë nuk kam më të drejtë ligjore të thërras seancën, Bastri Beci, asamblisti më i vjetër që ka dalë nga këto zgjedhje, nga Vetëvendosje, është duke u marrë me këtë gjë. Nga ministria i ka ardhur diçka atij, por nuk po i qesin detajet, por si do që të jetë ai është përgjegjës për këtë, dhe nëse vendoset të ndërrohet objekti ku do të mbahet seanca, ai duhet edhe të tregojë arsyen pse”, sqaron më tej Peci.

Objekti i komunës vazhdon të jetë i uzurpuar nga struktura paralele serbe që refuzojnë të njohin rezultatin e zgjedhjeve, por gjithashtu refuzojnë të ushtrojnë funksionet që nga data pesë nëntor në vitit 2022 kur kolektivisht vendosën të bojkotojnë punën në institucione.

Peci ka treguar se propozimi i tij ka qenë që seanca të mbahet në hapësirat e Kuvendit Komunal.

“Me të 17-in kur i kemi dërguar ftesat, jemi ulur bashkë dhe kemi biseduar. Unë ja kam propozuar datën dhe kam kërkuar që seanca të mbahet në sallë të kuvendit, por më pas kanë dalë do gjëra që s’po i di edhe tash”, tregon ai.

Ndër të tjera, Peci, që i takon Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga niveli qendror që t’i ofrojnë siguri në ditën e ceremonisë së betimit si kryetar.

Për dallim nga Ilir Peci, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ceremoninë e betimit si kryetar i komunës, e bëri në sallën e Kuvendit Komunal më 19 maj.

Më 28 maj, është afati përfundimtar kur dy kryetarët e mbetur në dy komuna të tjera, Zubin Potok e Leposaviq, kanë të drejtë të betohen dhe të organizojnë ceremoninë solemne, në të kundërtën e humbasin mandatin dhe detyrohen të përsërisin procesin zgjedhor.

Pse u mbajtën zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës më 23 prill?

Më 5 nëntor të vitit 2022, Lista Serbe kishte vendosur që pjestarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Pas një takimi të zhvilluar në Zveçan, serbët thanë se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës tërheq vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe dhe njëherit ministri për Komunitete the Kthim, Goran Rakiç, kishte dhënë dorëheqje nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili ishte deputet nga radhët e Listës Serbe kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët e punësuar në institucione të gjyqësorit dhe policisë janë larguar po ashtu.

Në këtë valë dorëheqjes, ishin edhe katër kryetarët e katër komunave me shumicë serbe.

Zubin Potokut Srdjan Vuloviç, kryetari i Zubin Potokut, Dragisha Miloviç, kryetari i  Zveçanit, Zoran Todiç, kryetari i Leposaviqit dhe Milan Radojeviç, kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore