Lajme

Kurti kërkon nga Baerbock vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja Annalena Baerbock.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjermani është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock, nga e cila kërkoi vazhdimin e përkrahjes nga shteti i Gjermanisë në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri Kurti falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe vit pas viti, rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës dhe për partneritet të afërt”.

“Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë kyçe të mbështetjes së qeverisë gjermane deri në anëtarësimin e plotë”, thuhet në komunikatë.

Kreu i ekzekutivit, po ashtu e njoftoi ministren Baerbock për suksesin ankandit të parë diellor e po ashtu për përgatitjet që po bëhen për ankandin e radhës me energji të erës.

Sipas njoftimit, ky është takimi i tretë në më pak se tri vjet ndërmjet kryeministrit dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Pak ditë pasi Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – të paktën dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim – kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri, në takim me disa deputetët gjermanë kërkoi mbështetjen e tyre edhe në hapin e fundit të Kosovës drejt kësaj organizate ndërkombëtare.

“Krahas mirënjohës për mbështetjen e deritanishme ndaj vendit tonë, kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën edhe në hapin e fundit, mbi bazën e opinionit të raportueses Dora Bakoyannis, votës historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore