Lajme

Kurti: Serbia bën propagandë tinëzare për të mbjellë kaos


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, rrëzoi manipulimet e Serbisë rreth dhunës së pretenduar të autoriteteve kosovare ndaj serbëve të Kosovës, derisa në bazë të statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, nga 86 vrasje sa janë kryer nga viti 2021 deri 2024, 81 prej viktimave ishin shqiptarë, tre serbë e dy të etnive tjera.

“Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se nga viti ’21 deri më ’24, në Kosovë ka gjithsej 86 vrasje: 81 shqiptarë, 3 serbë e dy të etnive tjera. 3 serbët u vranë në vitin ’22; dy në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe një në Graçanicë. Ka vetëm serbë të dyshuar për tri vrasjet”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar.

“Në Mitrovicën e Veriut një serb dyshohet se ka vrarë babanë dhe vëllanë e tij. Në Graçanicë, një serb dyshohet se ka vrarë vëllain e tij. Rasti në Banjska është i veçantë ku tre pjesëtarë paramilitarë serbë vdiqën në shkëmbim zjarri me policinë pas vrasjes së zyrtarit policor Afrim Bunjaku më 24 shtator”.

“Çdo person në Kosovë, vendor apo ndërkombëtar, e di se: propaganda serbe për dhunën kundër serbëve është – propagandë. Faktet flasin vetë, duke hedhur poshtë gënjeshtrat tinëzare dhe duke zbuluar gjatësinë që do të shkonte një regjim autoritar për të mbjellë kaos”, shtoi kryeministri.

Ndryshe, asnjë nga vëzhguesit ndërkombëtarë në Kosovë nuk ka parë apo përshkruar “dhunë” apo “terror” ndaj popullatës serbe në pjesën veriore të Kosovës gjatë viteve të fundit. Nuk është ofruar asnjë provë për pogromet e supozuara, dhunën sistematike apo ‘spastrimin etnik’ në vitet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore