Shqipëria

Shpërthimi i radhës nga Ilir Meta dhe synimi për të qenë koka e opozitës


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk bën më habi me deklaratat e tija dhe ato janë bërë sa të zakonshme, aq edhe përsëritëse njëkohësisht.

Por, është e sigurt se ai ka nisur tashmë një fushatë reale për të qenë koka drejtuese e opozitës shqiptare, në mungesë fizike në terren të liderit real, Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpie prej 31 dhjetorit 2023, pasi Prokuroria e Posaçme SPAK e ka futur në hetimin e dosjes “Partizani”, së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Në paraqitjen e radhës televizive, në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, përballë gazetarit Alban Dudushi, Meta foli për SPAK-un, ku nuk i uli tonet ndaj kreut të institucionit, Altin Dumanit.

“Unë të kërkoj pazar me SPAK-un? S’ka aktorë të fuqishëm në këtë vend, jam vetë aktor i fuqishëm se unë dal përballë të gjithëve, dal përballë SPAK-ut, dal përballë kujt të duash, më sill kë të duash në këtë vend”.

Ishte ky komenti fillestar i tij për organin e drejtësisë së re.

Më tej, e sfidoi hapur kreun e Prokurorisë së Posaçme: Ma sill mua këtu! Është çështje morali kjo, është çështje integriteti kjo. E para SPAK-u e ka nisur çështjen që në vitin 2019, në kulmin e përplasjes sime për Gjykatën Kushtetuese.

Foli po ashtu edhe për kryeministrin Rama, rreth të cilit tha se është peng, por pa përmendur se peng i kujt është.

Shtoi se forca e krijuar nga ai, Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, ka qenë garantuese e rotacionit të nevojshëm politik, pa përmendur se ky rotacion politik nuk e përfshinte partinë vet.

Ndërsa, luftën e vërtetë që ai po bën, e vuri në shinat e një slogani, ku me pesë prioritete, do të bëhet lufta për Shqipërinë me 4 milionë shqiptarë.

Gjëra, të cilat janë thënë sigurisht edhe më parë.

Por veçoria ndalet në faktin se Meta tashmë është i pranishëm thuajse çdo ditë në studio televizive, aktiv i paepur në terren, në media sociale, kudo që ka audiencë.

Ai madje arrin deri aty sa të flasë edhe për “strategji marketingu”, për gabime thelbësore që janë bërë me organizimin më parë, me renditjen e fjalimeve, kohëzgjatjen e tyre tejet të madhe në një epokë ku gjërat duhen thënë shkurt dhe qartë.

Është kthyer në një kryetar real partie dhe të vendosur për betejën e tij, edhe kur duhet të “sakrifikojë” gurë të çmuar në PL, si bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, e cila politikisht duket si e djegur tanimë.

Ish-kreu i shtetit, do kreun e opozitës. Dhe me opozitën e çakorduar nga një betejë që vijon, e vijon, e vijon, nuk është e thënë që mos t’ia dalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore