Lajme

Borrell i quan ‘tmerruese’ zhvillimet e fundit në Rafah, i kërkon Izraelit të ndalojë menjëherë sulmet


Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i ka quajtur tmerruese zhvillimet e fundit në Gaza, posaçërisht mbi ngjarjet në Rafah, ku Izraeli ka ndërmarrë një sulm me dhjetëra të vrarë gjatë natës së 26 majit, përfshi civilë.

Përmes një publikimi në median sociale Twitter, Borrell e ka dënuar këtë akt, teksa ka kërkuar që kjo ofensivë izraelite menjëherë të ndalojë.

“Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. Urdhrat e GJND-së dhe Ligjit Ndërkombëtar Humanitar duhet të respektohen nga të gjitha palët”, shkroi ai.

 

Çfarë ka ndodhur?

Forcat izraelite kanë bombarduar një kamp që strehonte njerëz të zhvendosur në një zonë të sigurt të projektuar në Rafah.

Kjo duke vrarë rreth 40 palestinezë, sipas agjencisë së lajmeve “Wafa”.

Shumë nga viktimat ishin gra dhe fëmijë.

Sulmi në kampin në Tal as-Sulltan erdhi pasi forcat izraelite bombarduan kampet që strehonin palestinezë të zhvendosur në zona të tjera duke përfshirë Jabalia, Nuseirat dhe qytetin e Gazës, duke vrarë të paktën 160 të tjerë, sipas zyrtarëve palestinezë.

Ushtria izraelite konfirmoi sulmin në Rafah, duke thënë se ai kishte në shënjestër luftëtarët e Hamasit duke përdorur “armë precize”.

IDF mori përgjegjësinë për vrasjen e dy oficerëve të lartë të Hamasit.

Ajo pranoi se civilët u plagosën kur shpërtheu një zjarr dhe tha se incidenti është nën hetim.

Të paktën 35 mijë e 984 palestinezë janë vrarë dhe deri në 80 mijë e 643 njerëz janë plagosur në luftën e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori.

Në javët e fundit, IDF kanë rrethuar në mënyrë progresive qytetin e Rafah, ku mbi një milion palestinezë të zhvendosur kanë gjetur strehim nga luftimet në Rrip.

Ofensiva izraelite në qytet është intensifikuar gradualisht, por ende nuk ka marrë karakterin e një pushtimi të vërtetë tokësor, sipas administratës së presidentit amerikan Joe Biden, i cili kundërshton një sulm në shkallë të plotë në vendbanim.

Sulmi ajror izraelit kundër kampit të refugjatëve erdhi menjëherë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën në Rafah.

Dje, mbi 120 kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare arritën në qytet nga kufiri i afërt me Egjiptin – kolona e parë e ndihmës që kaloi kufirin që nga fillimi i këtij muaji, kur forcat izraelite pushtuan kalimin.

Nuk është ende e qartë, sipas mediave amerikane, nëse grupet humanitare kishin akses në ndihmat që kaluan kufirin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore