Lajme

Një person sulmoi Policinë e Kosovës dhe KFOR-in në Leposaviq, të dyshuarit iu gjet një xhaketë ushtarake me emblemë serbe


Ilustrim

Një person i ka sulmuar me shishe xhami automjetet zyrtare të Policisë së Kosovës dhe Forcës së NATO-s (KFOR) në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të territorit kosovar, të hënën në orën 04:05 të mëngjesit, ndërsa të dyshuarit i është gjetur edhe një xhaketë ushtarake me emblemë serbe, njoftoi Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës njoftoi të hënën se gjatë patrullimit të përbashkët me pjesëtarët amerikanë të KFOR-it në fshatin Miokovicë, një person ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare. Në komunikatën e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se personi i dyshuar është arrestuar, kurse vetura e tipit “Seat” është sekuestruar.

“Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen. Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

“Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore