Lajme

Nis takimi Bislimi – Petkoviç në Bruksel për dinarin


Ilustrim: Miroslav Lajçak, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç

Takimi i radhës në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi e të ashtuquajturit drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka nisur rreth orës 12:30.

Takimi do të duhej të niste në orën 10:30 të enjten. Mediumi opozitar serb, N1, raportoi se takimi i pestë në mes të kryenegociatorëve ka pësuar një ndryshim formati dhe do të nis menjëherë me një takim trepalësh Bislimi – Lajçak – Petkoviç, pa takime bilaterale fillimisht.

Tema e takimit si në të gjitha takimet paraprake do të jetë rregullorja e Bankës Qendrore e Kosovës, gjegjësisht çështja e ndalimit të valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Për takimin në fjalët të martën u deklaruar diplomati sllovak, i cili potencoi se edhe në këtë takim do të punohet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, Lajçak vlerësoi se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur që ta ngushtojnë hendekun lidhur me këtë temë.

Lajçak shprehu pritshmërinë që bisedimet e së enjtes në Bruksel do të bazohen në ide konkrete.

Në të gjitha katër takimet që Bislimi e Petkoviç diskutuan për këtë çështje, nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Pas përfundimit të takimit të fundit në Bruksel, Bislimi deklaroi se pala serbe s’e pranoi as këtë hërë propozimin fillestar të Lajçakut për zgjidhje të përkohshme, por ata kanë insistuar në propozimin e tyre për çështjen e dinarit serb, ndërsa denoncoi përndjekjen e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Dhe një ditë pas manifestimit të modelit serb të normalizimit dhe integrimit apo zbatimit të marrëveshjeve që u manifestua përmes ekspozimit të një mentaliteti mesjetar të trajtimit të qytetarëve të një vendi fqinj, përmes ndaljes së tyre nëpër pikat kufitare, arrestimit, maltretimit të tyre, dhe në këtë kontekst mbase duhet të shihet dhe qasja e Serbisë në takimin e sotëm”.

“Rrjedhimisht ky takim i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe”, shtoi ai.

Ndërkaq Petkoviç, pretendoi se pala serbe bëri “gjithçka” për të gjetur një zgjidhje, ndërsa akuzoi palën kosovare se erdhi në kryeqendrën evropiane pa adresuar idetë e BE-së për zgjidhjen e nyjes që, sipas tij, tregon se Kosova nuk dëshiron të pajtohet për asgjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore