Lajme

Kurti në Kongresin e socialistëve evropianë: Qëndrojmë në mbrojtje të demokracisë përballë autokratëve


Foto: Levizja Vetevendosje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropian që po mbahet në Berlin, në kuadër të zgjedhjeve evropiane që pritet të mbahen me 9 qershor, ku ka thënë se “qëndrojmë bashkë në mbrojtje të demokracisë përballë autokracive në rritje në kontinentin tonë”.

“Në nëntor të vitit të kaluar, Lëvizja VETËVENDOSJE! u bë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë. Qëndrojmë bashkë e të mobilizuar në mbrojtje të demokracisë, barazisë, solidaritetit dhe prosperitetit, përballë autokracive që kanosin mirëqenien, të drejtat e njeriut dhe sigurinë e kontinentit tonë”, ka shkruar Kurti, siç citohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga kjo parti kanë thënë se kjo konferencë, e mbajtur të shtunën në Berlin, theksoi premtimin që Partia e Socialistëve Evropian do të jetë një zë i besueshëm dhe i fuqishëm kundër ekstremizmit të djathtë dhe për ruajtjen e demokracisë.

“Nuk do të ketë pra as bashkëpunim e as koalicione me të djathtën ekstreme në Parlamentin Evropian”, përfunduan nga VV, duke njoftuar kështu për qëndrimet e kësaj konference.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore