Lajme

Kurti paralajmëron zgjidhje për Asociacionin dhe Kodin Civil për anëtarësim në Këshillin e Evropës


Foto: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar zgjidhje sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Kodit Civil – i cili deri më tani nuk është miratuar në kuvend për shkak se një pjesë e deputetëve konservatorë të partisë në pushtet kanë refuzuar për ta votuar – për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këto komente, Kurti i ka bërë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.

“75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj”, tha fillimisht Kurti.

Që kjo të ndodhë, kryeministri ka theksuar se duhet të ndodhin dy gjëra, pra Asociacioni dhe Kodi Civil.

“Ne, qeveria e Kosovës, kemi zotime ndaj Këshillit të Evropës për të nënvizuar se i çmojmë dhe respektojmë vlerat e përbashkëta të të drejtave të njeriut mbi të cilat është ndërtuar. Ne do t’i mbajmë dhe do të tregojmë në këtë mënyrë se do të forcojmë institucionet. Qeveria jonë në këto tre vite në detyrë ka treguar se zhvillimi social-ekonomik dhe progresi demokratik ecin paralelisht. Ata nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ata kushtëzojnë njëri-tjetrin pozitivisht”, potencoi.

“Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Malit të Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, shtoi.

Kurti ka nënvizuar se këtë e bënë pasi që është e drejtë, “sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet”.

“Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Evropës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, pohoi ai, derisa foli edhe për çështjen e dytë që do at bëj Kosova për t’u anëtarësuar në KiE.

“Ne gjithashtu do të zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”, deklaroi Kurti.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Në të njëjtën kohë, ai i ka bërë thirrje qeverisë gjermane që të dëgjojë deputetët e shumtë gjermanë që javën e kaluar në Strasburg folën “me aq elokuencë pse pranimi i Kosovës këtë vit është gjëja e duhur”.

“Vendimi kryesor që duhet të merret tani është vendosja e pranimit tonë në axhendën e takimit të ardhshëm të ministrave të jashtëm në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës këtë maj”.

Ai ka potencuar se do të kërkojë nga Gjermania që ta ndihmojë Kosovën në këtë proces, derisa ka vlerësuar se pranimi i Kosovës si anëtari i 47-të i Këshillit të Evropës në 75 vjetorin e tij këtë vit “është një përparim historik, për vendin tim dhe qytetarët e tij, për rajonin tonë dhe ne besojmë për të gjithë Këshillin e Evropës”.

“Do të tregonte se është i mundur një emancipim i pakthyeshëm nga e kaluara e afërt e tragjedive, duke iu përmbajtur standardeve universale të të drejtave të njeriut”, tha ndër të tjera Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore