Shqipëria

Opozita i kërkon Kuvendit anulimin e mbledhjes së Komisionit për Shëndetësinë


Opozita, përmes një shkrese zyrtare, i ka kërkuar Kuvendit të shpallë të pavlefshme mbledhjen e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, thekson se votimit i planit hetimor në një mbledhje të thirrur në mënyrë të njëanshme vetëm nga socialistët është nul.

Sipas saj, përmes planit hetimor të miratuar nga socialistët, po tentohet të shpëtohen nga përballja në Komision Hetimor kryeministri Edi Rama, që në listën e dëshmitarëve të hartuar nga anëtarët e majtë, nuk është përfshirë.

Ndërkaq ditën e djeshme anëtarët e mazhorancës në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë e vijuan mbledhjen, e cila ishte deklaruar e mbyllur nga kryetarja Albana Vokshi.

Pas 3 orësh debatesh për procedurë anëtarët e mazhorancës në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë u mblodhën pa opozitën.

Nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca tha se “në planin e hetimit të ekspertëve të propozuar nga mazhoranca janë të përfshirë të gjitha pikat që ata kanë kërkuar si në planin paraprak edhe në planin e dorëzuar nga ekspertëve”.

“Plani ynë është i gjerë dhe më i detajuar dhe kap një marzh më të gjerë të veprimtarisë së Ministrisë së Shëndetësisë dhe që lidhet me arsyet apo pse-të që duhet t’u jepet përgjigje nëpërmjet këtij hetimi dhe pse ka shkuar Ministria e Shëndetësisë për të marrë vendim për këto dy koncesione”.

Sipas tij, që të bëhet kjo duhet të ketë një hetim përpara se ky vendim të jetë marrë.

Anëtarët e mazhorancës në vijim të mbledhjes miratuan me 8 vota pro nisjen e hetimit parlamentar, si dhe miratuan kërkesat për marrjen e provave drejtuar institucionve sipas kërkesave të opozitës dhe mazhorancës.

Ky propozim, për fillimin e hetimeve ishte parashtruar vazhdimisht gjatë mbledhjes së sotme prej anëtarëve të mazhorancës, por u refuzua nga kryetarja Albana Vokshi dhe anëtarët e tjerë të opozitës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore