Lajme

Erden Atiq kryetar i Mitrovicës së Veriut, betohet në Kuvendin Komunal


Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes është betuar si kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Në seancën solemne të organizuar në sallën e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Atiq dha betimin para asamblistëve të komunës.

“Unë Erden Atiq betohem se si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut do të kryejë detyrat në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha Atiq.

Vendimi i parë i Atiq si kryetar komune ishte emërimi i Katarina Agjançiç si nënkryetare e tij.

Pas fjalimit të shkurtër në sallën e Kuvendit Komunal, Atiq foli për medie, në korridor të objektit të Komunës.

“Sapo e përfunduam seancën solemne, dua të jap dy mesazhe të shkurta, për të gjithë”, tha ai.

“Ne me të gjithë ekipin dhe unë si kryetar komune, shprehem se do të punoj për të gjithë qytetarët e Komunës së Mitrovicës, pa dallim e pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëj për ta normalizuar këtë pjesë të komunës dhe i bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë të na takojnë e të na vizitojnë e të bashkëpunojmë, sa më mirë, për të mirën e tyre, qytetarëve”, deklaroi kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut.

“Unë këtu jam edhe me nënkryetaren e komunës, Katarina Agjanqiç, kemi për të punuar bashkë me një ekipë shumë dinamike, shumë shpresëdhënëse, gjithashtu me ne është edhe ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, me ne është edhe kryesuesi i kuvendit Komunal”, shtoi Atiq.

Kryetari i ri i komunës së Mitrovicës së Veriut u pyet edhe për çështjen e Urës mbi lumin Ibër. Tha, shkurtimisht, se “do bëj çdo gjë për të lehtësuar jetën e qytetarëve”.

“Ne si ekzekutiv kemi qëllim për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe normal çfarëdo pengese e problemesh kanë qytetarët, në këtë aspekt angazhimet i kemi për t’i rregulluar ato të cilat ata i konsiderojnë si probleme”, përfundoi ai.

Atiq në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës, mori numrin më të madhe të votave nga kandidatët që garonin për kryetar.

Përkundër se qytet me shumicë serbe, në zgjedhje nuk merrte pjesë asnjë kandidat nga partitë serbe, meqë serbët e Kosovës vendosën kolektivisht që t’i bojkotojnë zgjedhjet.

Erden Atiq këtë të premte zyrtarisht mori përgjegjësitë e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, por këtë proces pritet ta realizojnë edhe tre kryetarët e tri komunave të tjera veriore të cilat bashkërisht iu nënshkruan procesit zgjedhor për zgjedhje të jashtëzakonshme më 23 prill.

Ilir Peci në komunën e Zveçanit, Lulzim Hetemi në komunën e Leposaviqit dhe Izmir Zeqiri në komunën e Zubin Potokut.

Kryetarët e rinj, janë të obliguar që ceremoninë e betimit ta përfundojnë brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë.

“Sipas ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryetarët e komunave duhet të japin betimin ose deklaratën solemne para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, jo më larg se 30 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve”.

“Kryetari që dështon të japë betimin brenda një muaji nga certifikimi rezultateve të Zgjedhjeve, e humbet mandatin”, thotë pika 2 e nenit 57 të këtij ligji”.

KQZ, zgjedhjet në katër komunat veriore i certifikoi më 28 prill.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore