Lajme

Rikonfirmohet mbështetja e pakusht e Kosovës ndaj Ukrainës kundër agresionit rus


Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjenerallejtënant Bashkim Jashari, përmes takimit të radhës me Grupin e Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës, ka rikonfirmuar mbështetjen e Kosovës, ndaj Ukrainës.

Përmes një komunikate për media është thënë se fokusi i takimit ishte në asistencën ushtarake për forcat e armatosura.

“Komandanti i FSK-së, Gjeneral Jashari edhe një herë shprehu gatishmërinë e FSK-së për mbështetje të Ukrainës në përballje me agresionin rus. Takimi u fokusua në vazhdimin e asistencës ushtarake për forcat e armatosura të Ukrainës”.

“Shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në mesin e të cilave edhe Kosova, rikonfirmuan mbështetjen e pakusht për Ukrainën që po vazhdon të përballet me luftën kundër agresionit rus”, thuhet në komunikatë.

Takimi është udhëhequr nga sekretari i mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin III.

Kosova gjatë muajit prill ka dërguar pakon e parë mbështetëse për Ukrainën, e cila kishte kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake.

Më 23 korrik të 2023-së, Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon e 11-të të sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte thënë se miratimi i kësaj pako është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të Kosovës për drejtësi dhe paqe.

“Sot MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim zbatimin e pakos së 11 të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës ruse dhe Bjellorusisë si dhe zbatimin e vendimit të BE. Më 23 qershor këshilli i BE-së miratoj masa të reja kufizuese ndaj Rusisë”, deklaroi ajo.

Ajo kishte sqaruar se sanksionet po vendosen për shkak të cenimit dhe integritetit të pavarësisë së Ukrainës.

Edhe më 10 maj Qeveria e Kosovës, kishte shtuar sanksionet ndaj Rusisë për të kundërshtuar agresionin e këtij shteti ndaj Ukrainës.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore