Kosova

Klinaku nga OVL-UÇK përfundon vizitën në Hagë: Shokët po qëndrojnë stoikisht përballë padrejtësive


Faton Klinaku

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, pas vizitës dy-ditore në Hagë të Holandës, ku ka vizituar disa nga ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës, ka njoftuar se të njëjtit po “qëndrojnë stoikisht përballë padrejtësive”.

“I përfunduam vizitat edhe me Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Hashim Thaçi. Të gjithë 8 shokët janë mirë me shëndet, qëndrojnë stoikisht përballë padrejtësive dhe ju dërgojnë të fala”, ka shkruar Klinaku në llogarinë e tij në “Facebook”, të dielen e 23 korrikut.

Klinaku ka vizituar edhe Jakup Krasniqin, Salih Mustafën, Rexhep Selimin, Pjetër Shalën e Kadri Veselin, ndërsa në llogarinë e tij ka shkruar se prapa dyerve të Gjykatës Speciale, do të duhej që të ishin pjesëtarët e pushtuesit serb, që kanë kryer krime e masakra ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

“Shokët këtu i kanë kushtuar jetën e tyre atdheut. Janë më të fortë se kurrë, përballë këtyre sfidave dhe padrejtësive. Kanë shumë vizitorë nga Kosova e vende të ndryshme të botës, sepse populli i respekton si çlirimtarë”, ka shkruar ai të shtunën.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shpalosur aktakuzën kundër ish-drejtuesve dhe ushtarëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj Shtabit të Përgjithshëm të saj e që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore