Pajisje

Kina në alarm për privatësinë


Një program kushtuar të drejtave të konsumatorëve në Kinë, i cili mbahet çdo vit, ka hapur një debat kombëtar rreth privatësisë dhe mbikëqyrjes me kamera.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se debati ka si pikënisje një program dy orësh primetime të quajtur “315”, i cili përkonte me Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit.

Ky program është përdorur “shpesh” nga mediat shtetërore të Kinës për të qortuar markat mbi mangësitë e perceptuara. Nike-u, McDonalds-i dhe Apple-i kanë qenë në shënjestër të shfaqjes gjatë viteve të fundit.

CNN dallon se këtë vit shqetësimet në lidhje me mbikëqyrjen dhe privatësinë kanë qenë në qendër të vëmendjes. Televizioni Qendror Kinez (CCTV) përdori programin për të akuzuar disa kompani për mbledhjen e fshehtë të të dhënave të klientëve të tyre duke përdorur njohjen e fytyrës.

Pjesë e akuzave të ardhura nga CCTV-ja ishte edhe prodhuesi amerikan, Kohler, për instalimin e kamerave në qindra dyqanet e saj në Kinë për njohjen e fytyrave të klientëve dhe analizimin e detajeve mbi gjininë dhe moshën e tyre.

Transmetuesi kinez veçoi edhe përfaqësuesin në vend të BMW-së dhe një dyqani me pakicë, Max Mara në zonën e Shanghai-t, për përdorimin e teknologjive të ngjashme.

Por, këto nuk ishin të vetmet. Në program u kritikuan edhe kompani të huaja të mëdha si Ford-i dhe Nissan-i, të cilat u akuzuan për “sjellje të dobët” në lidhje me defektet dhe pjesët e makinave.

Pretendimet kanë gjeneruar dhjetëra mijëra komente në median sociale, Weibo, në të cilin njerëzit kanë shprehur shqetësimet nëse informacioni i tyre personal abuzohej.

Nga ana tjetër, Kohler, ka reaguar në llogarinë e tij zyrtare në Weibo se kamerat nëpër dyqane janë hequr, mirëpo nuk pranoi se kishte ruajtur apo analizuar të dhënat e mbledhura nga to. Kompania ka shtuar se i ka përdorur kamerat vetëm për të numëruar klientët që mbërrinin në dyqanet e saj/

Lëvizje të ngjashme ka ndjekur edhe BMW-ja me Max Mara-n. Ndërkohë autoritetet kineze kanë nisur hetimin e disa prej kompanive të tjera të paraqitura në program.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore