Lajme

Këshilltari i Blinken telefonon Kurti-n, sërish flasin për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi


Derek Chollet

Derek Chollet, këshilltari i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka realizuar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku kryefjala e bisedës ishte krijimi i mundësisë që qytetarët serbë të Kosovës të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë me tre prill.

Gjatë bisedës telefonike, këshilltari i sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, ka falënderuar të parin e ekzekutivit kosovarë për mbështetjen që Kosova ka dhënë shtetit të Ukrainës, pas invazionit rus.

“Pata një bisedë të mirë me Kurtin sot. E falënderova atë për mbështetjen e fortë ndaj Ukrainës dhe theksova rëndësinë që qytetarët me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, ka shkruar Chollet në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe është e hera e dytë që Chollet, thërret Kurtin për të diskutuar temën e lejimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Më 18 shkurt Chollet, përmes një njoftimi në Twitter kishte bërë të ditur se ka biseduar në telefon me kryeqeveritarin Kurti për çështjen e zgjedhjeve në Serbi.

“Përpara kemi zgjedhjet e Serbisë në prill, u diskutuan rastet kur shtetet e OSBE-së kanë rënë dakord me kërkesat e shteteve të tjera për t’u lejuar votimi fizikisht. Falënderoj Kosovën për bujarinë e saj, duke pritur afganët”, kishte shkruar Chollet në Twitter.

Në anën tjetër Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka deklaruar se Kosova nuk ka marrë kërkesë për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, andaj ato nuk mund të mbahen pa iu drejtuar me një kërkesë të tillë institucioneve të vendit.

Autoriteti që vendos se a lejohet ose jo mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, i përket qeverisë dhe institucioneve, dhe se për një gjë të tillë duhet kërkuar leje, ka thënë ajo.

Ndonëse Serbia hyn në dy javët e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit, Kusari Lila thotë se deri më tani një kërkesë të tillë Kosova nuk e ka pranuar ende.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore