Kosova

IKSHPK sërish apelon tek qytetarët: Virusi është kudo, vaksinohuni


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përsëri ka apeluar njëjtë për vaksinim dhe respektim të masave anti-COVID19.

IKSHPK ka thënë se variant Omicron (B.1.1.529) është duke vazhduar të përhapet me intensitet të lartë, me shtim të hospitalizimeve dhe rasteve fatale.

“Të gjitha të dhënat nga vendet tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese. Andaj, Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike”, është thënë nga IKSHPK-ja.

Madje, IKSHPK ka përsëritur rekomandimet që duhet të respektohen dhe që ndihmojnë në uljen e rasteve.

“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”.

Ilustrim: Spitalet.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, situate mund të përkeqësohet edhe më shumë në Kosovë.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”.

Gjithashtu ka theksuar se vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në secilën prej komunave.

“Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare. Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen! Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen”.

Me një shkurt, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, kanë humbur jetën gjashtë persona dhe janë regjistruar dy mijë e 33 persona janë të infektuar me COVID-19

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 87 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë tre mijë e 329.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 32 mijë e 906.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore