Lajme

Hyseni emëron disa prej drejtorëve komunalë në Gjilan, tre nga PDK-ja


Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur emërimin e drejtorëve të rinjë në këtë komunë,  ku tre prej tyre vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje do të bashkëqeverisë me ta në mandatin katërvjeçar në këtë komunë.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe e ekipit është kompletuar, ndërsa janë në fazën përfundimtare që të vendosin emërimet edhe për disa drejtori.

“Jemi në fazën përfundimtare që të vendosim emërimet për: Nënkryetarin për Komunitete, Drejtorinë e Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë, Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ky ekip, do të plotësohet gjatë ditëve në vijim!”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Sipas tij, “transparenca e plotë, ndershmëria e profesionalizmi, do të jenë 3 shtyllat kryesore të cilat do të na përcjellin gjatë tërë mandatit”.

Ndërsa, ekipi me të cilin do të punoj Hyseni në katër vitet e ardhshme përbehet nga, nënkryetarja, Leonora Morina Bunjaku, drejtoreshë e Drejtorisë së Administratës, Doruntina Hasani, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Riad Rashiti.

Komuna e Gjilanit.

Drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit, Selvete Sylejmani, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mentor Mihovci, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje, Shpëtim, Bejtullah Osmani, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Bajram Isufi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ali Arifi si dhe drejtor i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Enver Shabani.

Më nëntë dhjetor, Hyseni ka marrë detyrën e kryetarit të komunës së Gjilanit.

Hyseni, para kuvendarëve të Komunës së Gjilanit ka bërë të ditur se do e sjellë frymën e re që banorët e Gjilanit e kanë pritur.

“Sot jemi në mbledhjen e parë të kuvendit të ri të Gjilanit, kuvendit komunal të ndryshimit dhe zhvillimit që e pret komunën në katër vitet e ardhshëm rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjell frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisnin e që reflektuan me votë fillimisht me 17 tetor e pastaj dhe definitivisht me 14 nëntor”, ka thënë Hyseni.

Ai, ka premtuar se do të jetë zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen dhe zgjidhjen të gjitha problemet e qytetit dhe fshatit.

“Banorët e Gjilanit faleminderit për besimin tuaj që tashmë po e përkthejmë në bashkëqeverisje gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat shtresat lagjet dhe fshatrat”.

Alban Hyseni ka marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë, në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale të 14 nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore