Shqipëria

Hoqi kufizimin me Shqipërinë, Ambasada gjermane publikon kushtet


Ambasada gjermane në Tiranë, ka reaguar të premten e 18 qershorit, fill pas vendimit që shtetasit shqiptar të lëvizin lirshëm drejt Gjermanisë.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, Ambasada bëri me dije se “për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore, është i domosdoshëm një test negativ i COVID ose një dokument që provon shërimin apo vaksinimin”.

Duke nisur nga data 20 qershor udhëtimi për në Gjermani i personave rezidentë në Shqipëri, lejohet përsëri për të gjitha qëllimet e udhëtimit.

Për më shumë detaje, Ambasada shkruan se mund të vizitohet faqja e tyre web.

Përveç shtetasve shqiptarë të drejtë për të lëvizur drejt shtetit gjerman kanë dhe dy vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Përkatësisht Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Vendimi i Gjermanisë vjen dy ditë pasi Këshilli Evropian vendosi që të heqë nga lista si zona të rrezikut tetë shtete, duke i shpallur ato ‘vende të sigurta’.

Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

KE-ja në muajin maj hoqi kufizimet për të gjithë shtetasit e vendeve të treta që ishin vaksinuar me të dy dozat kundër COVID.

Pavarësisht këtij vendimi fjala e fundit i takonte vendeve pritëse nëse i lejonin këto udhëtarë të kalonin apo jo.

Nën presidencën e Portugalisë, BE-ja shqyrtoi vendet, të dhënat e të cilave tregojnë se raporti i infektimit është 75 raste pozitivë për 100 mijë banorë, në 14 ditët e fundit.

Ndërkaq Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë parë ulje të ndjeshme muajin e fundit të numrit të rasteve pozitive me COVID.

Ndërkohë Shqipëria ka imunizuar me të dyja dozat mbi 330 mijë qytetarë, Serbia rreth 2.3 milionë të popullsisë dhe Maqedonia e Veriut mbi 187 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore