Shqipëria

Gjermania vendosi, heq kufizimet për Shqipërinë


Të premten e 18 qershorit, qeveria gjermane ka deklaruar se duke nisur nga dita e dielë, shtetasit nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, mund të lëvizin lirshëm.

Duke nisur prej datës 20 qershor turistët nga këto tre vende të Ballkanit Perëndimor, do të lejohen të hyjnë në Gjermani pa qenë nevoja të japin arsyen e udhëtimit.

Vendimi i Gjermanisë vjen dy ditë pasi Këshilli Evropian vendosi që të heqë nga lista si zona të rrezikut tetë shtete, duke i shpallur ato ‘vende të sigurta’.

Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

KE-ja në muajin maj hoqi kufizimet për të gjithë shtetasit e vendeve të treta që ishin vaksinuar me të dy dozat kundër COVID.

Pavarësisht këtij vendimi fjala e fundit i takonte vendeve pritëse nëse i lejonin këto udhëtarë të kalonin apo jo.

Nën presidencën e Portugalisë, BE-ja shqyrtoi vendet, të dhënat e të cilave tregojnë se raporti i infektimit është 75 raste pozitivë për 100 mijë banorë, në 14 ditët e fundit.

Ndërkaq Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë parë ulje të ndjeshme muajin e fundit të numrit të rasteve pozitive me COVID.

Ndërkohë Shqipëria ka imunizuar me të dyja dozat mbi 330 mijë qytetarë, Serbia rreth 2.3 milionë të popullsisë dhe Maqedonia e Veriut mbi 187 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore