Shqipëria

BE heq kufizimet e udhëtimit me Shqipërinë


Të mërkurën e 16 qershorit, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u dakordësuan për të hequr kufizimet e udhëtimit për tetë shtete. Mes tyre gjenden edhe tre shtete nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Këshilli i BE-së në maj hoqi zyrtarisht kufizimet për shtetasit e vendeve të treta, të cilat janë vaksinuar me dy dozat kundër COVID-19.

Pavarësisht se ky vendim prekte dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, fjala e fundit u takonte vendeve pritëse nëse i lejonin këta udhëtarë të kalonin apo jo.

Muajin e fundit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë parë ulje të ndjeshme të numrit të rasteve pozitive me COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, Shqipëria ka pasur tetë raste, Serbia 124 dhe Maqedonia e Veriut 29 raste.

Sa i përket imunizimit të popullsisë me të dyja dozat e vaksinave, në Shqipëri numërohen mbi 330 mijë qytetarë, Serbi rreth 2.3 milionë e popullsisë dhe Maqedoni e Veriut mbi 187 mijë.

Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

Pavarësisht vendimit, disa prej shteteve anëtare mund të kërkojnë test negativ për COVID-19, ose respektimin e një periudhe karantinimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore