Lajme

Gjykata Kushtetuese: Tri gjykata ia cenuan të drejtat e garantuara ish-ambasadorit Kastrati


Ish ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.

Sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tri gjykata ia kanë cënuar të drejtat e garantuara ish ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Kastratit, sipas Kushtetueses, Kastrati bashkë me disa ambasadorë të tjerë ishin liruar nga detyra nëpërmjet një dekreti të presidentes së Kosovës.

Pastaj, kundër dekretetit të presidentes, Kastrati kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Kjo e fundit e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, ndër tjerash, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, një dekret i Presidentes nuk mund të jetë objekt vlerësimi në procedurën e konfliktit administrativ, por i njëjti mund t’i nënshtrohet vetëm procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

“Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme”, thuhet në komunikatë për media.

Sipas Kastratit, mosvlerësimi i ligjshmërisë së dekretit të kontestuar, gjykatat e rregullta kishjin shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuar me nenet.

Gjykata Kushtetuese

“7 [Vlerat], 65 [Kompetencat e Kuvendit], 84 [Kompetencat e Presidentit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës”.

Mes të tjerash, atij i ishte mohuar e drejta për të përdorur mjetet juridike efektive në gjykatat e rregullta për të mbrojtur të drejtat e tij subjektive.

Ky institucion gjyqësor ka thënë se hedhja poshtë e padisë së Kastratit ka cenuar të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për ‘qasje në drejtësi’ në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Gjykata konkludoi se, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme i 22 shtatorit 2021, Aktvendimi i Gjykatës së Apelit i 13 korrikut 2021, dhe Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i 1 qershorit 2021, nuk janë në përputhshmëri me nenin 31 që është e Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 që është e drejta për një proces të rregullt të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pas këtij sqarimi nga Kushtetuesja, këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka dal me një sqarim për media.

Duke thënë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka hedhur poshtë dekretin e Presidentes.

“Lajmi i publikuar në disa mediume se “Kushtetuesja hedh poshtë dekretin e Presidentes për shkarkimin e Avni Kastratit si ambasador i Kosovës në Slloveni”, është i pasaktë. Në fakt, Gjykata Kushtetuese fare nuk e ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes”, thuhet në sqarimin e Kupines.

Ai ka thënë se edhe Zyra e Presidencës është njoftuar të premten lidhur me shkeljen e të drejtave në këtë proces.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës është njoftuar sot nga Gjykata Kushtetuese se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese ka pretenduar se gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me Kushtetutë”.

Për këtë arsyeje kjo çështje është kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Pra, në asnjë rrethanë nuk kemi të bëjmë me hedhje poshtë të dekretit të Presidentes, meqë Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes”.

Kastrati ishte shkarkuar më 20 maj të vitit 2021 atëherë kur Ministria e Punëve të Jashtme kishte shkarkuar nga detyra 13 ambasadorë.

Ministrja Gërvalla, ishte shprehur se vendimi për shkarkimin e ambasadorëve të mëparshëm ishte akt në mesin e reformave që pati nisur MPJD-ja, dhe se funksioni i tillë i ambasadorëve ishte i jashtëligjshëm.

Ai para se të shërbente si ambasador në Slloveni, kishte qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore