Kosova

Gjermania me donacion për Policinë e Kosovës: Do të ndikojë pozitivisht në luftimin e të gjitha akteve kriminale


Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rhode dh drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Policia e Kosovës, të premten ka pranuar donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Ambasada Gjermane.

Lajmin e ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media duke thënë se dhurimi i këtyre donacioneve do të ndikojë pozitivisht në luftimin e të gjitha akteve kriminale.

“Me datën 19 janar 2024, përmes ceremonisë zyrtare ku morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me vetura si dhe pajisje të teknologjisë për Policinë e Kosovës nga shteti gjerman, gjegjësisht Ambasada Gjermane në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, u shpreh se është mirënjohës ndaj Ambasadës Gjermane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj policisë.

“Përkrahja nga partneret tanë ndërkombëtarë do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime”.

Më 11 janar, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor (IPK), kishin pranuar donacion 7 dronë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), përmes një ceremonie të organizuar.

Duke pohuar se donacioni i fundit është vazhdimësi e qëndrimit mbështetës të SHBA-së për Kosovën.

Më 1 gusht, Policia e Kosovës kishte pranuar edhe donacion për kamerat e trupit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore