Lajme

Gazmend Hoxha zgjedhet drejtor i Policisë së Kosovës


Gazmend Hoxha

Gazmend Hoxha është zgjedhur drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në mbledhjen e 132-të të Qeverisë së Kosovë këtë të mërkurë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka propozuar emrin e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Dobra tha se në konkursin për drejtor të Policisë së Kosovës kanë aplikuar pesë kandidatë teksa katër nga ta kanë hyrë në listë të ngushtë.

Tutje, ai u shpreh se pas vlerësimit profesional janë rekomanduar 3 kandidatë, Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Bahri Shala.

Nga këta 3 kandidat, sipas Dobrës, ministri Sveçla ka propozuar për drejtor të PK-së Gazmend Hoxhën.

“MPB ka zhvilluar procedurën e rekrutimit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Në këtë konkurs kanë aplikuar pesë kandidatë, 4 kanë hyrë në listë të ngushtë. Pas vlerësimit profesional, janë rekomanduar 3 kandidatë Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Bahri Shala. Ministri i propozon si kandidat për drejtor të policisë z.Gazmend Hoxhën”, tha Dobra.

Policia e Kosovës nuk ka pasur drejtor që nga muaji shtator i vitit të kaluar, kjo pasi ish-drejtori Samedin Mehmeti kishte dhënë dorëheqje pas dhunimit të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë dhe vendin e tij si Ushtrues Detyre e kishte zënë Fehmi Hoti.

Kush është Drejtori i ri i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha?

Gazmend Hoxha është i angazhuar në Policinë e Kosovës që nga viti 2000.

Në vitin 2002 i njëjti morri gradën në stacionin Jugu të Prishtinës.

Hoxha në vitin 2009 u emërua drejtor i Njësive Speciale, kurse në vitet 2010 u emërua Drejtor kundër Krimit të Organizuar.

Në vitin 2012 Gazmend Hoxha u zgjodh Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore